KORREKT / SOT15 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Vjosa Osmani reagon sërish: Po ua përsëris, Ibrahim Rugova është ati themeltar i Republikës sonë!

Vjosa Osmani reagon sërish: Po ua përsëris, Ibrahim Rugova është ati themeltar i Republikës sonë!

Ish – presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj asaj që i ka cilësuar si përpjekje të koordinuara për denigrimin e figurës dhe rolit historik të ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka theksuar se kontributi i Rugovës në ndërtimin e shtetit të Kosovës nuk mund të kufizohet vetëm në një periudhë të caktuar, duke kundërshtuar pretendimet se meritat e tij përfunduan në vitin 1994.

Ajo ka vlerësuar se Rugova luajti rol kyç gjatë okupimit, luftës dhe periudhës së pasluftës, duke ndërtuar rezistencën politike, organizuar institucionet e Kosovës dhe ndërkombëtarizuar çështjen e saj.

Osmani ka përmendur edhe takimet e saj me liderë botërorë gjatë pesë viteve të mandatit si presidente, duke thënë se në këto takime kontributi i Rugovës në ndërtimin e shtetit dhe aleancave ndërkombëtare është përmendur vazhdimisht.

Postimi i plotë:

RRETH PËRPJEKJEVE TË KOORDINUARA PËR TA DENIGRUAR ROLIN E PRESIDENTIT RUGOVA

Ibrahim Rugova është Ati Themeltar i Republikës së Kosovës. As vitet e okupimit, as lufta dhe as vitet e pasluftës nuk mund të shkëputen nga roli i tij historik në ndërtimin e shtetit tonë.

Të shpifësh se Rugova kishte merita vetëm deri më 1994 dhe të mohosh gjithçka që bëri deri në vitin 2006, është përpjekje e qëllimshme për ta falsifikuar historinë. Por aspak e papritur nga ata që mund ta kenë parë si bashkëpunëtor Stanishiqin.

Gjatë pesë viteve të mandatit tim si Presidente, në qindra takime me liderë botërorë, ata kanë përmendur vetëm kontributin e Rugovës në ndërtim të shtetit e aleancave. Asnjëherë nuk kanë përmendur ndonjë lider tjetër, e kjo tregon shumë për rolin e tij.

Rugova ndërtoi rezistencën politike, organizoi institucionet e shtetit të Kosovës kur ato ishin të ndaluara, ndërtoi celulat e para të rezistencës së armatosur, ndërkombëtarizoi çështjen tonë dhe, pas luftës, udhëhoqi përfaqësimin institucional të Kosovës në rrugën drejt pavarësisë. Ndërsa insinuatat për lidhje me Millosheviqin janë shpifje të ulëta. Edhe më të ulëta janë shpifjet ndaj Zonjës së Parë të shtetit të Kosovës, znj. Fanë Rugova.

Rugova ishte sulmuar vazhdimisht nga regjimi i Millosheviqit dhe u rrëmbye dhunshëm nga ai regjim, siç dëshmohet edhe nga dëshmitarët ndërkombëtarë. Dëshmia e tij në Tribunalin e Hagës për krimet serbe dhe luftën e drejtë të UÇK-së është pjesë e historisë së dokumentuar.

Prandaj, historia nuk mund të rishkruhet përmes botimeve të shpifësve recidivistë, as e vërteta të zëvendësohet me shpifjet e tyre të njëpasnjëshme.

Po ua përsëris: IBRAHIM RUGOVA ËSHTË ATI THEMELTAR I REPUBLIKËS SONË!

Pranojeni këtë realitet. Ky është vendi i tij në histori e në zemrat e popullit të Kosovës dhe asnjë fushatë denigrimi nuk mund ta ndryshojë.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.