Ende pa i mbushur një javë si u.d e kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku është duke u përballur me një situatë të rënduar brenda partisë.
Çitaku që e mori detyrën si kryetare e PDK-së, pas dorëheqjes së Bedri Hamzës, nuk e ka filluar në mënyrën më të lehtë përballjen me politikën e vendit, marrë parasysh gjithë situatën e krijuar, transmeton lajmi.net.
Dje PDK zyrtarisht i kërkoi presidentes Justina Shiroka Pula që ndryshimet ligjore të Ligjit për Dhomat e Specializuara të rikthehen për shqyrtim në Kuvend.
Ky vendim nuk u prit aspak mirë nga spektri politikë, sidomos nga përkrahësit e PDK-së.
Një pjesë e tyre e kritikuan deputetin Përparim Gruda, si njëri nga pjesëmarrësit në punimet për ndryshimet ligjore.
Por, ai doli me reagim, ndryshe nga partia, dukë thënë se ligji s’ka gabime dhe se i qëndron prapa punës së tij.
“Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk ka asnjë gabim. Asnjë. Jam krenar për punën që kam bërë, bashkë me ekipin me të cilin e kemi hartuar këtë ligj. Është konsultuar me këdo që është dashur të konsultohet. Unë qëndroj sot, dhe do të qëndroj deri në fund, prapa çdo shkronje të këtij ligji. E di sa punë, sa përpjekje dhe sa përgjegjësi ka pasur pas tij. Do të kisha preferuar që sot të flisnim për zbatimin e ligjit, jo për rihapjen e debatit mbi të. Megjithatë, nëse Kuvendi e rishqyrton, kjo duhet të bëhet me përgjegjësi, me argumente juridike dhe me vendosmëri për ta ruajtur thelbin e tij. Unë nuk tërhiqem nga bindja ime, nuk distancohem nga puna ime dhe nuk heq dorë nga qëllimi për të cilin ky ligj u hartua. Çdo hap i mëtejshëm duhet të na afrojë drejt një drejtësie të pavarur që e mbron luftën tonë të drejtë çlirimtare, jo të na largojë prej saj. Për të tjerat, këtu do të jemi dhe do të flasim.”, tha Gruda.
Të gjitha këto ngjarje, qojnë tek një konkluzion se brenda PDK-së ka përplasje ndër partiake. Madje këtë e deklaruan thuajse gjithë njohësit politikë në vend- ku u tha se PDK-ja po ndahet në dy tabore për marrjen e postit të kryetarit nga ata që veçse po e synonin këtë.
Lajmi.net gjatë ditës së djeshme dhe sot ka tentuar të kontaktoj me znj.Çitaku, por ajo nuk ka qenë e qasshme dhe as nuk është përgjigjur në mesazhet që i kemi dërguar.
Ajo deri më tani ka refuzuar të deklarohet mbi raportimet për zhvillimet në PDK.
I vetmi sinjal që ajo ka dhënë është bërja “LIKE” e postimit të Përparim Grudës, duke përçuar sinjal se vendimi për ta rikthyer në Kuvend Ligjin, nuk e ka pasur “pëlqimin” e saj.

Përveç Çitakut, postimin e Grudës e kanë bërë “LIKE” edhe figura tjera të njohura të PDK-së si: Altin Krasniqi, Ariana Musliu-Shoshi dhe Adil Behramaj.
Madje mbi këtë zhvillim komentoi pikërisht Adil Behrami, i cili njihet si më i afërmi i ish-presidentit Hashim Thaçi.
Emrat e përfolur në këto zhvillime janë Përparim Gruda, Uran Ismaili dhe Enver Hoxhaj. Këta tre madje thuhet se do jenë në garë për postin e kreut të PDK-së, derisa publikisht ende nuk u tha asgjë.
Sipas Behramajt duhen toleruar intrigat dhe konspiracionet që po zihen rreth ligjit dhe sipas tij Gruda veçse duhet bërë gati për garë.
“Po me vjen keq qe per arsye qe ne i dime, po duhet te tolerohen intrigat dhe konspiracionet qe po “ziejne” rreth ligjit. Je vendosur padrejtesisht ne kete pozite dhe te ka rene hise te durosh lloj-lloj pallavrash. Por, mbaje koken lart dhe ndjehu krenar!Edhe behu gati per gare!”, shkroi Behramajt tek Gruda.
E pikërisht para kthimit të ligjit, Bedri Hamza dha publikisht dorëheqje nga drejtimi i PDK-së. Madje dorëheqja e tij u lidh mbi zhvillimet në PDK dhe mundësinë që pikërisht mospajtimet mbi këtë ligj e “detyruan” edhe për dorëheqje./Lajmi.net/



