Trajneri Antonio Conte ka deklaruar se “vendi i dytë është vendi i parë për humbësit”, por thekson se Napoli ende nuk e ka humbur shpresën për të kapur Interin, ndërsa shpjegoi edhe pse taktikat ndaj Lazios janë të diktuara nga mungesat.
Kriza e lëndimeve vazhdon për napolitanët. Edhe pse Amir Rrahmani është rikthyer në stol, skuadra vazhdon të jetë pa Romelu Lukaku, Giovanni Di Lorenzo, David Neres dhe Antonio Vergara.
Sam Beukema është preferuar ndaj Juan Jesus, pas gabimeve të këtij të fundit në ndeshjen e kaluar kundër Parmës.
“Është një vendim teknik, asgjë e veçantë. Është normale që lojtarët të alternohen gjatë sezonit, pasi Amir Rrahmani dhe Giovanni Di Lorenzo nuk janë ende gati, ndaj është e rëndësishme të kemi opsione”.
Kevin De Bruyne dhe Scott McTominay janë përdorur në mbështetje të Rasmus Hojlund, në një formacion 3-4-2-1.
“Sistemi varet vetëm nga fakti që nuk kemi një mbrojtës krahu në dispozicion për momentin. Pa Di Lorenzo është e vështirë të mendojmë për një skemë tjetër. Për më tepër, kjo taktikë na ka ndihmuar në një situatë emergjente, ndaj nuk shoh arsye për ndryshime radikale tani”.
“Natyrisht, lëndimi i Di Lorenzo është një goditje e madhe, sepse ai mund të luajë si në mbrojtje me tre, ashtu edhe si mbrojtës krahu. Ai ka luajtur pothuajse gjithmonë dhe tani, pas këtij problemi në gju, nuk kemi askënd tjetër me karakteristikat e tij në skuadër”.
“Do të shohim edhe për taktikën kur Vergara të rikuperohet dhe të jetë i gatshëm”.
Napoli e di se barazimi 1-1 ndaj Parmës javën e kaluar pothuajse i ka dhënë fund shpresave për titull, sidomos pas fitores 3-0 të Interit ndaj Cagliarit, që i çoi zikaltërit përkohësisht 12 pikë përpara.
Tashmë, “Partenopei” duhet të shikojnë edhe pas shpine për të siguruar vendin e dytë dhe kualifikimin në Ligën e Kampionëve, pasi tashmë kanë fituar Superkupën e Italisë.
“Vendi i dytë është vendi i parë për humbësit, ndaj nuk jam i sigurt nëse vendi i dytë apo i tretë ndryshon shumë – rëndësi ka vetëm kush kualifikohet në Ligën e Kampionëve”, u shpreh Conte me një buzëqeshje të hidhur.
“Aktualisht jemi 12 pikë larg Interit dhe e pamë shumë mirë kundër Parmës që nuk mund të bëjmë gabime, përndryshe humbasim pikë. Objektivi ynë është të japim maksimumin, të shohim përpara, por edhe të mbajmë një sy pas, sepse një ose dy gabime mund të ndryshojnë shumë gjëra”./Telegrafi/