Aktorja Kimmarie Johnson, yll i serialit “Beverly Hills, 90210”, ka ndërruar jetë në moshën 50-vjeçare. Lajmi i trishtë u konfirmua për TMZ nga mbesa e saj, Rhonda Scott, e cila deklaroi se aktorja pësoi një “incident kardiak” në shtëpinë e saj në Los Anxhelos, më 27 tetor.
Më pas, Johnson u dërgua në spitalin “Cedars-Sinai”, ku iu diagnostikua një “aneurizmë kardiake”. Aktorja ndërroi jetë “në paqe” të mërkurën pasdite, pasi zemra e saj pushoi së rrahuri.
Aktorja lë pas djalin e saj, Cameron (23 vjeç), i cili është muzikant. Ajo ishte gjithashtu shumë e lidhur me mbesën e saj, të cilën e kishte rritur që kur vajza ishte 16 vjeçe. Rhonda është vajza e vëllait të madh të aktores, Edward, dhe Tina Baldwin-it, e cila vuante nga varësia ndaj drogës. Nëna e Kimmarie-t dhe vetë aktorja morën përsipër rolin e prindërve për Rhondën — një temë për të cilën Johnson foli në vitin 2014.
Kimmarie Johnson lindi në Pittsburgh, Pensilvani, dhe më vonë studioi arsim fillor e psikologji fëmijësh në Universitetin e Kalifornisë. Më pas, ajo u shpërngul në Nju Jork dhe filloi të punonte si stjuardesë, përpara se të zbulohej nga një agjenci modelimi. Ajo vazhdoi duke punuar në fushata për “Oscar de la Renta” dhe “United Colors of Benetton”. Në vitin 1992, ajo fitoi konkursin “Miss Pennsylvania” dhe më vonë konkurroi për titullin “Miss USA”.
Ajo u shpërngul në Los Anxhelos në vitin 1996 dhe së shpejti nisi karrierën e saj si aktore. Debutimi i saj televiziv ndodhi në vitin 1998, kur mori rolin e Judy-t në një episod të serialit “Beverly Hills, 90210”. Më vonë, ajo luajti në filmin e vitit 2000 “Dude, Where‘s My Car?”, të ndjekur nga role në filmat “Gang Warz”, “Spanish Fly”, “Shadow Fury” dhe “The Summer of Massacre”.
Pasi solli në jetë një djalë në vitin 2003, Kimmarie u tërhoq nga aktrimi. Paraqitja e saj e fundit televizive ishte në vitin 2017, në serialin “Tucker‘s War”.

