Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka theksuar nevojën për luftë të pakompromis kundër korrupsionit, duke kërkuar forcimin e sistemit të drejtësisë dhe përgjegjësi për zyrtarët publikë.
Në margjinat e Forumit Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, Gërvalla ka marrë pjesë në një panel kushtuar luftës kundër korrupsionit.
Ajo ka thënë se përballja me këtë dukuri kërkon vullnet institucional, sistem të pavarur dhe profesional të drejtësisë, zbatim të ligjit dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
“Lufta kundër korrupsionit kërkon që pasuria e pajustifikueshme të verifikohet, përfitimet e paligjshme të konfiskohen, zyrtarët publikë të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe rrjetet kriminale të mos gjejnë strehë në kufijtë e shteteve”, ka shkruar Gërvalla.
Ajo ka shtuar se asnjë pozitë publike, pasuri apo lidhje politike nuk duhet të shërbejë si mburojë përballë ligjit.
Gërvalla ka bërë të ditur se Kosova mbetet e përkushtuar në thellimin e reformave në drejtësi, forcimin e mekanizmave për parandalimin dhe ndëshkimin e korrupsionit, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit me partnerët evropianë./Zëri
