Vampirët, alienët, policët dhe personazhet e filmave e serialeve po dominojnë trendët e kostumeve për Halloween 2026.
Zgjedhjet e zviceranëve këtë vit dallojnë nga ato ndërkombëtare, ku Spider-Man prin në listën e kostumeve më të kërkuara.
Sipas një analize të publikuar nga mediumi zviceran Watson, bazuar në të dhënat e kërkimeve dhe shitjeve të platformave të ndryshme, personazhet e filmave dhe serialeve vazhdojnë të jenë burimi kryesor i frymëzimit për festën e Halloween-it.
Në nivel ndërkombëtar, Spider-Man renditet në vendin e parë, i ndjekur nga Harley Quinn, Batman, Wednesday Addams, Minions, Super Mario, Catwoman, personazhet e “Five Nights at Freddy’s”, Wonder Woman dhe Minecraft.
Ndërkohë, në Zvicër preferencat janë disi më të ndryshme, transmeton Telegrafi
Sipas të dhënave të shitësit online Galaxus, kostumi më i kërkuar është ai i vampirit, ndërsa pas tij renditen lakuriqi i natës dhe vdekja me kosë. Edhe kostumet e alienëve janë ndër zgjedhjet e pëlqyera këtë vit.
Galaxus ka raportuar se gjatë tetorit 2026 ka shitur 20% më shumë kostume dhe 29% më shumë aksesorë për Halloween krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Për ata që preferojnë kostume në çift ose në grup, ndër zgjedhjet më të kërkuara janë polici i njësisë speciale SWAT dhe i burgosuri.
Gjithashtu, është vërejtur interesim për veshjet e stilit të viteve ’80, një trend që mund të lidhet me fotografitë dhe videot e krijuara me inteligjencë artificiale, të cilat kanë qarkulluar së fundmi në rrjetet sociale.
Edhe te shitësi zviceran Manor ka një renditje të veçantë. Kostumi i policit kryeson listën e pesë kostumeve më të shitura, i ndjekur nga pirati, personazhet e filmit horror “Scream”, shtriga dhe demoni.
Ndër aksesorët më të kërkuar janë maskat e “Scream”, maskat LED, maskat për sy dhe produktet e grimit, transmeton Telegrafi.
Një tjetër trend i këtij viti lidhet me suksesin e serialit dhe filmit “KPop Demon Hunters”, personazhet e të cilit, Rumi, Mira dhe Zoey, janë kthyer në frymëzim për kostume individuale dhe grupore. Kombinimi i veshjeve glamuroze me elemente fantastike dhe mbinatyrore po tërheq veçanërisht vëmendjen.
Në mesin e kostumeve të frymëzuara nga produksionet e reja janë edhe personazhet e filmit “Toy Story 5”, si Woody, Buzz Lightyear dhe Jessie, si dhe personazhet nga filmi “Obsession” dhe filmi “The Odyssey” i regjisorit Christopher Nolan. Për këtë të fundit, një veshje me tunikë, mantel, aksesorë të artë dhe sandale mjafton për të krijuar pamjen e një heroi të mitologjisë greke.
Ndërsa fansat e serialit “Heated Rivalry” mund të zgjedhin pamjen e dy lojtarëve rivalë të hokejit, përmes fanellave sportive, pantallonave stërvitore dhe aksesorëve përkatës.
Sa u përket aksesorëve, në Zvicër këtë vit kërkohen veçanërisht maska e personazhit Ghostface nga “Scream”, dhëmbët e vampirit dhe kapelat e kaubojve.
Të dhënat tregojnë se Halloween-i vazhdon të fitojë popullaritet në Zvicër, ndërsa zgjedhjet e kostumeve ndikohen gjithnjë e më shumë nga filmat, serialet dhe trendët që qarkullojnë në rrjetet sociale./Telegrafi/

