KORREKT / SOT9 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Kulture

Valbona Jakova, mes krenarisë së rrënjëve dhe peshës së historisë

Valbona Jakova, mes krenarisë së rrënjëve dhe peshës së historisë

Nga veprimtaria si ndërmjetëse gjuhësore-kulturore në Itali te antologjia që bashkoi 43 poetë italianë dhe 40 shqiptarë, Valbona Jakova ka ndërtuar një rrugëtim letrar të lidhur ngushtë me përvojën e saj jetësore. Në këtë rrëfim, ajo zbulon edhe një anë më intime të vetes, ku dashuria, kujtesa dhe poezia marrin kuptime të veçanta

Në Kuç të Kurveleshit, netëve kur mungonte energjia elektrike, babai i Valbona Jakovës ndizte fenerin, mblidhte familjen rreth oxhakut dhe i binte mandolinës Gibson. Në atë shtëpi të rrënuar, këngët shkodrane krijonin për pak çaste ndjesinë e lirisë, edhe pse familja jetonte në internim. Babai, me prirje të veçanta për letërsinë, muzikën dhe teatrin, nuk pati mundësi t’i zhvillonte plotësisht talentet e tij për shkak të përndjekjes. Për Valbonën, dëshira për ta ringjallur atë trashëgimi u kthye në një shtysë të vazhdueshme krijuese.

Në vitin 1991, ajo u largua nga Shqipëria me bashkëshortin dhe dy fëmijët, duke kaluar me peshkarexhë nga Durrësi në Brindizi. Në Itali ndërtoi një jetë të re dhe gjeti hapësirë për t’iu përkushtuar letërsisë.

Në këtë intervistë për Telegrafin, rrëfimi i saj shkon përtej ngjarjeve biografike. Valbona flet për mungesën e një shtëpie të përhershme, jetën mes dy gjuhëve, dashuritë që mbeten të papërmbushura dhe ndjenjat që poezia arrin t’i shprehë aty ku fjalët e zakonshme nuk mjaftojnë. Përtej librave, çmimeve dhe mbiemrit që bart, shfaqet edhe gruaja që e gjen lumturinë në gjërat e vogla të përditshmërisë.

Një mbiemër me histori dhe një fëmijëri pa vend të përhershëm

Zonja Jakova, vini nga një mbiemër që në kulturën dhe historinë shqiptare nuk kalon pa jehonë: Frano, Kolë, Tuk, Filip Jakova. Kur mbani mbiemrin Jakova, e ndieni më shumë si rrënjë që ju mban apo si një peshë që ju kërkon vazhdimisht të jeni në lartësinë e saj?

Në fakt, i ndjej të dyja. Rrënjët e prejardhjes më zgjojnë një kuriozitet të veçantë. Historia e përgjithshme e prejardhjes së një populli gërshetohet dhe lidhet pazgjidhshmërisht edhe me historinë e zonës nga e cila e kanë zanafillën paraardhësit. Sa më shumë breza të përpiqemi të përfshijmë në këtë kërkim, aq më misterioze dhe mistike bëhet origjina.

Ndoshta ky mendim lidhet edhe me fantazinë time, me imazhet që ngjallin tek unë trevat veriore. Paraardhësit e tim eti kanë udhëtuar nëpër këto zona me një synim të caktuar: nga veriu i Shqipërisë drejt Kosovës. Duket se kanë kërkuar të vendoseshin në një vend sa më të mirë, ndoshta më të begatë, me mundësi sa më të favorshme jetese. Për çudi, këtë prirje duket se e kanë trashëguar edhe brezat e sotëm.

Por më duhet të ndalem te prejardhja e fisit të tim eti.

Gjyshi im kishte ardhur nga Gjakova në Shkodër jo për të kërkuar një jetë më të mirë se ajo që mund t’i ofronte Gjakova, por për t’i shpëtuar një çështjeje gjaku. Në Shkodër vazhdoi të ushtronte zanatin e tij, argjendarinë.

Im atë dhe vëllezërit e tij ndoqën shkollat françeskane, ku patën mundësinë të merrnin një formim të gjerë letrar, muzikor dhe artistik. Secili prej tyre u shqua për talentin e vet. Im atë kishte prirje të veçanta për shkrimin, muzikën dhe teatrin, por, fatkeqësisht, arriti t’i ushtronte këto dhunti vetëm për një kohë të shkurtër, pasi familja u përndoq dhe u persekutua deri në vitin 1991.

Pikërisht pamundësia për t’i zhvilluar këto talente, për t’i dhënë hapësirë krijimtarisë dhe për t’i jetuar lirisht dhuntitë e tij, është diçka që më ka vrarë gjithmonë shpirtërisht.

Në Itali më është dashur t’i kushtoj një pjesë të madhe të kohës fëmijëve dhe familjes sime. Megjithatë, brenda mundësive dhe përballë pengesave që nuk kanë munguar, jam përpjekur që çdo vit të bëj diçka, të mos e lë krijimtarinë dhe këtë nevojë të brendshme të shuhen.

Kjo shtysë ka ardhur si rezultat i një komunikimi të vazhdueshëm mes meje dhe prindërve të mi, e në veçanti mes meje dhe tim eti.

Sa herë kam arritur diçka, kam ngritur sytë drejt qiellit dhe, në sfondin e kaltër të hapësirës, kam dalluar fytyrën e qeshur të babait tim, sikur të ishte aty, duke më përgëzuar. Në talentin e genit të familjes së babait dhe të ndërprerjes së dhunshme të asaj trashëgimie ekziston tek unë përpjekja për ta ringjallur.

Në një familje ku arti, kultura dhe historia kanë hyrë kaq herët në jetën tuaj, çfarë kujtimi ju vjen i pari kur mendoni për shtëpinë e fëmijërisë: një zë, një melodi, një libër, një bisedë apo ndoshta një heshtje?

Shtëpia e fëmijërisë sime nuk ka përfaqësuar kurrë një vendbanim të përhershëm. Ndër kujtimet më të bukura që ruaj, do të veçoja ato që lidhen me kujtesën vizuale dhe episodike, pra aftësinë për të mbajtur të gjalla në mendje pamjet e vendeve ku kam jetuar, si dhe periudhat kohore që lidhen me to.

Mund të flas për disa shtëpi dhe disa vende, sepse kujtoj madje edhe kamionët që vinin për të na zhvendosur nga një vend në tjetrin. Kujtoj veten në Gramsh të Elbasanit, kur shkoja në kopsht. Kam ende para syve shtëpinë e asaj kohe: një ndërtesë të lyer me gëlqere të bardhë dhe një livadh ku luanin fëmijët.

Gjatë atyre zhvendosjeve të shpeshta dhe periodike, nga një vend në tjetrin, në njëfarë mënyre mbeta një fëmijë që, brenda vetes, përpiqej të kuptonte dhe të habitej përballë gjithçkaje që i ndodhte.

Kur na internuan në Kuç të Kurveleshit, shtëpia ku do të jetonim ishte një ndërtesë e rrënuar nga lufta. Jetonim të gjithë në një dhomë të vetme, pa energji elektrike.

Tingujt më të gjallë që kujtoj edhe sot janë ata të mandolinës Gibson, së cilës im atë i binte çdo mbrëmje, sapo binte nata. Ai ndizte fenerin, na mblidhte rreth oxhakut dhe pastaj na ftonte të këndonim.

Këndonim çdo natë këngë shkodrane, në të cilat im atë derdhte gjithë melankolinë dhe mallin e tij për Shkodrën.

Kënga u bë për ne një formë shpëtimi nga izolimi dhe vetmia. Ajo krijonte një hapësirë tjetër brenda asaj shtëpie të rrënuar, një hapësirë ku, të paktën për disa çaste, mund të ndiheshim të lirë.

Shtëpia e munguar dhe dy gjuhët e një jete

U larguat nga Shqipëria drejt Italisë në vitin 1991. Kur e kujtoni sot atë vajzë që po linte Tiranën, çfarë mendoni se mori me vete pa e ditur se do ta mbante gjithë jetën dhe çfarë la pas që vazhdon ende ta kërkojë? Pas kaq vitesh mes Shqipërisë dhe Italisë, ku ndodhet sot “shtëpia” e Valbona Jakovës: në një vend, në një gjuhë, në kujtesë apo te njerëzit që do?

Fjala shtëpi është kështjella më e madhe e kujtimeve, e sekreteve, e fjalëve të thëna dhe të pathëna. Është mall, është tërmet shpirtëror, është jetë. Ndërsa mospasja e një shtëpie është një nga padrejtësitë më të mëdha që mund t’i bëhet njeriut.

Peshën e kësaj padrejtësie, të mungesës së një shtëpie si banesë e qëndrueshme, e kam bartur për një kohë të gjatë mbi shpinë dhe brenda psikikës sime. Nuk bëhet fjalë thjesht për mungesën e një strehe fizike apo të një prone. Bëhet fjalë për mungesën e një vendi ku mund të lëshosh barrën e ditës, ku të ndihesh i sigurt, ku të gjesh prehje dhe të ndjesh se i përket një hapësire. Është, mbi të gjitha, mungesa e një sigurie emocionale, e cila, kur e përjeton për vite me radhë, nuk mbetet vetëm në kujtesë, por bëhet pjesë e mënyrës se si e përjeton botën dhe hapësirën ku jeton. Sepse shtëpia është vendi ku njeriu ndërton sigurinë, kujtesën dhe vetveten.

Në fakt, unë nuk u nisa nga Tirana, qyteti ku kam lindur, por nga Elbasani, së bashku me tim shoq dhe dy fëmijët tanë, pasi në vitin 1991 ky ishte qyteti ku jetoja. Me vete, natyrisht, mora ëndrrat e mia më të rëndësishme: shkrimin, familjen dhe të ardhmen e fëmijëve, të cilëve dëshiroja t’u siguroja mundësinë për t’u shkolluar në qetësi dhe me dinjitet.

Shpresoja gjithmonë t’i realizoja këto ëndrra dhe iu përkushtova me të gjitha forcat arsimimit dhe formimit të mirë të fëmijëve në Itali. Kjo ishte një nga ëndrrat që arrita ta bëja realitet.

Ndërkohë, nuk i lashë pas dore shkrimet, poezinë, përkthimet dhe bashkëpunimet me shkrimtarë e poetë italianë dhe shqiptarë. Isha dhe mbetem e bindur se, në çdo fushë të jetës, bashkëpunimi është një nga rrugët më të mira drejt rezultateve të qëndrueshme dhe frytdhënëse.

Ju keni përzgjedhur disa këndvështrime që lidhen me temën e shtëpisë dhe që shtrihen në disa dimensione: hapësirën, gjuhën, kujtesën dhe marrëdhëniet njerëzore. Natyrisht, unë mora me vete edhe edukatën time familjare, bujarinë dhe zemërgjerësinë e prindërve të mi, vlera që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pjesë e pandashme e identitetit tim, por edhe si vazhdimësi e identitetit të prejardhjes së tyre. Këtë e konsideroj si mrekulli brezash.

Ajo që vazhdoj të kërkoj edhe sot është përmirësimi i vetvetes, një përpjekje e vazhdueshme drejt asaj që mund ta quajmë përsosmëri relative, sepse përsosmëria absolute nuk ekziston. Njeriu mbetet gjithmonë në procesin e të mësuarit, të kërkimit dhe të rindërtimit të vetvetes.

Të gjitha këto i përkasin shtëpisë ku u rrita dhe që e mbaj në zemër, jo thjesht si një godinë, por në kuptimin më të thellë të fjalës: si vendi që më lidh me prindërit e mi, të cilëve nuk pushoj së shprehuri mirënjohjen.

Keni jetuar gjatë mes dy gjuhëve. A ju ka ndodhur që një mendim ta gjeni më saktë në italisht, por dhimbjen, mallin apo dashurinë ta ndieni se mund t’i thoni vetëm shqip?

Është e vërtetë, pothuajse gjysmën e jetës e kam jetuar në Itali. Ndonjëherë më duket e çuditshme se si njeriu lind në një vend dhe, ndërsa vitet kalojnë me shpejtësi, përfundon duke e jetuar pjesën më të madhe të jetës në një vend tjetër.

Konfuzioni mes gjuhëve është një dukuri e njohur edhe nga gjuhëtarët. Për ta folur mirë një gjuhë që nuk është e jotja, duhet të mësosh të mendosh në atë gjuhë, të ndërtosh dhe të organizosh fjalitë sipas logjikës së saj. Ky është një proces i gjatë pune për trurin, një përpjekje e vazhdueshme për t’u përshtatur me një strukturë tjetër gjuhësore.

Në këtë pikë, mendoj se mendimet tona udhëtojnë në dy binarë të ndryshëm, të cilët ndonjëherë mund të kryqëzohen, të përplasen apo shinat të ndërrojnë drejtim. Ndodh që, në një çast të caktuar, mendimi të zgjedhë fjalën që i vjen e para në mendje, pavarësisht se cilës gjuhë i përket ajo. Kështu, dy gjuhët bashkëjetojnë brenda nesh, herë në harmoni dhe herë në një lloj rivaliteti të heshtur.

Italishtja është një gjuhë mjaft e pasur me sinonime, me mundësi të shumta shprehëse, që favorizojnë përkthimin dhe i japin fjalës një tingëllim melodioz. Megjithatë, pavarësisht pasurisë dhe bukurisë së gjuhëve që mësojmë e përvetësojmë gjatë jetës, ekziston një dimension emocional që nuk zëvendësohet lehtë.

Sepse dhimbja, në fund të fundit, mbetet gjithmonë zëri i nënës.

Përkthimi dhe zëri që nuk mund të huazohet

Në përkthimet e poetëve si Ungaretti, Neruda, Bellintani e Hirschman, si arrini të hyni aq thellë në vargun e tyre, duke ruajtur njëkohësisht zërin tuaj dhe besnikërinë ndaj fjalës e shpirtit të autorit?

Kjo është një pyetje mjaft me vend, të cilën shpesh ia bëj edhe vetes.

Ungaretti, në rininë time, ka qenë poeti im më i preferuar, sepse tek ai shihja diçka nga natyra ime, nga mënyra ime e të qenit. Prirja ime e natyrshme për ta fshehur mendimin brenda poezisë dhe për ta shprehur gjendjen time të brendshme në mënyrë spontane gjente një lloj afërsie me gjuhën e heshtur, të përmbajtur dhe shpesh të mistershme të hermetizmit.

Kam lexuar diku se ekziston një lloj farefisnie shpirtërore midis poetëve. Besoj se kjo afërsi buron nga fakti se ne ndajmë ndjenja njerëzore, të cilat ndryshojnë në intensitet, në mënyrën e përjetimit dhe të shprehjes, në përzgjedhjen e fjalëve, në ritmin poetik dhe në melodinë që krijon tingëllimi i tyre.

Pasi arrita në këtë përfundim, bëra edhe një hap tjetër: fillova t’i afrohesha dhe të njihja çdo poezi të bukur, pavarësisht stilit, shkollës apo rrymës letrare që përfaqësonte.

Pas një përvoje të gjatë leximi dhe reflektimi, kam arritur në përfundimin se poezia nuk mund të vidhet, sepse ajo lidhet ngushtë me identitetin unik të çdo poeti. Megjithatë, ajo mund të përthithet, të bëhet pjesë e përvojës sonë krijuese dhe, pasi kalon nëpër filtrin e ndjeshmërisë dhe të individualitetit tonë, të rishfaqet e transformuar, me një tjetër zë dhe një tjetër identitet.

Në fund të fundit, poezia mund të na ndikojë, të na pasurojë dhe të na ndryshojë, por nuk mund të na zëvendësojë me dikë tjetër. Zëri i poetit mbetet gjithmonë i papërsëritshëm, siç është unik shpirti njerëzor që mbartim.

Përvoja juaj si ndërmjetëse gjuhësore-kulturore ka gjetur shprehje edhe në letërsi. Sa histori njerëzish keni marrë me vete pas një dite pune, histori që në dokumente ishin “raste”, por për ju mbetën fytyra, zëra dhe fate?

Sigurisht, në jetën tonë takohemi me njerëz të shumtë, si në mjediset e punës, ashtu edhe në ato shoqërore. Përvoja ime e pasur si ndërmjetëse gjuhësore-kulturore ka gjetur shprehje në dy libra që kam shkruar dhe që janë vlerësuar edhe me çmime.

Fusha e ndërmjetësimit ku kam ushtruar veprimtarinë time përfshinte shkollat italiane, spitalet, institucionet si kuestura, si dhe zyrat që merreshin me lejet e qëndrimit dhe informimin mbi dokumentacionin e nevojshëm për punësimin.

Të gjitha këto mjedise më rikthenin te vetja ime e dikurshme, te periudha e fillimeve, kur edhe unë kisha nevojë për informacion, orientim dhe sqarime, ndërkohë që mungonin zyrat dhe strukturat e përshtatshme për t’u ardhur në ndihmë të huajve.

Pikërisht për këtë arsye, vështirësitë e tyre i përjetoja edhe si të miat. Dinamikën e pamundësive, nevojën për sqarime dhe pasigurinë që shoqëronte përfundimin e procedurave administrative për të huajt, përpiqesha ta kuptoja duke i parë të tjerët njësoj siç kisha parë dikur veten time. Nuk i konsideroja thjesht si persona që kërkonin një shërbim, por si njerëz që kishin nevojë të kuptoheshin, të orientoheshin dhe të trajtoheshin me dinjitet.

Në fund të fundit, shembujt e jetës mbeten gjithmonë të kapshëm për syrin dhe shpirtin e shkrimtarit. Ato nuk janë thjesht përvoja që kalojnë, por lëndë e gjallë që, përmes vëzhgimit dhe ndjeshmërisë, shndërrohet në reflektim, dëshmi dhe letërsi.

Kur lini mënjanë librat, përkthimet dhe ceremonitë letrare, cila është kënaqësia e vogël e përditshme pa të cilën dita ju duket e paplotë?

Dita më duket e zbrazët kur nuk merrem me diçka, sepse koha fluturon dhe nuk mund të kapet më. Më vjen keq për kohën e pashfrytëzuar; madje, prirjen për të mos e vënë mendjen në lëvizje e konsideroj një lloj përtacie të mendimit.

Më pëlqen të shkruaj poezi në çdo çast dhe në çdo rrethanë, megjithëse e di shumë mirë se poezia nuk i bindet vullnetit tonë dhe as nuk vjen me kërkesë. Ajo troket në shpirt në çaste të paparashikuara, shpesh atëherë kur mendja dhe ndjeshmëria janë më të hapura për ta pritur.

Ndoshta kjo është një nga kënaqësitë e mia më të mëdha: të jem gjithmonë në kërkim, të mos e lë mendimin të pushojë dhe të jem e gatshme për atë çast të papritur kur një ndjesi, një fjalë apo një përjetim shndërrohet në poezi.

Kur poezia kapërcen kufijtë dhe jeta kalon detin

Me antologjinë dygjuhëshe Versi irradianti, Vargje rrezatuese keni vendosur pranë njëri-tjetrit 43 poetë italianë dhe 40 poetë shqiptarë. Pas përkthimit të kaq shumë zërave, çfarë ju duket se i bashkon poetët përtej gjuhës dhe kombit: mënyra si duan, mënyra si vuajnë apo dëshira për t’i shpëtuar harresës?

Besoj se ajo që i bashkon poetët, përtej gjuhës, kombësisë dhe dallimeve kulturore, është mbi të gjitha nevoja thellësisht njerëzore për t’i dhënë kuptim ekzistencës së tyre. Dashuria, vuajtja dhe dëshira për të mos u harruar janë sigurisht tri fije që përshkojnë poezinë e çdo kohe dhe të çdo vendi. Por mendoj se, edhe më thellë, qëndron nevoja për ta njohur veten te tjetri. Të shihet refleksi i poezisë së tyre në universin e shpirtit poetik.

Duke përkthyer zërat e 43 poetëve italianë dhe 40 poetëve shqiptarë, kam pasur ndjesinë se, megjithëse përdorin fjalë të ndryshme, këta autorë shpesh banojnë në të njëjtin territor të shpirtit. Ndryshojnë imazhet, referencat kulturore, ritmet dhe tingëllimat, por mbeten çuditërisht të ngjashme pyetjet themelore: çfarë do të thotë të duash, të humbasësh, të shpresosh, të vuash, të jetosh?

Në fund të fundit, poezia nuk njeh kufij. Ajo është një formë qëndrese ndaj vetmisë, heshtjes dhe, mbi të gjitha, harresës. Çdo poet shkruan edhe për të lënë një gjurmë, për të shpëtuar diçka nga vetja dhe nga koha e tij prej brishtësisë së kujtesës.

Për këtë arsye, Versi irradianti – Vargje rrezatuese nuk e konsideroj thjesht një antologji dygjuhëshe, por një takim mes ndjeshmërive, historive dhe identiteteve. Të vendosësh pranë njëri-tjetrit poetë italianë dhe shqiptarë do të thotë të krijosh një dialog, në të cilin asnjë zë nuk e humbet individualitetin e vet, por secili kontribuon për ta pasuruar tjetrin.

Nëse do të më duhej të zgjidhja vetëm një gjë që i bashkon të gjithë, do të thosha pikërisht këtë: dëshira për të shndërruar një përvojë individuale në një emocion universal. Sepse kur një varg arrin të prekë dikë tjetër, pavarësisht nga gjuha në të cilën është shkruar, poezia e ka kryer tashmë mrekullinë e saj: ka shembur një kufi dhe ka krijuar një lidhje.

Një nga librat tuaj quhet La tempesta delle ore, “Stuhia e orëve”. Nëse do ta shihnit jetën tuaj si një kalendar poetik, cila ka qenë ora që ju ka ndryshuar përgjithmonë dhe që ende nuk ka mbaruar së trokituri brenda jush?

Më pëlqejnë vërtet pyetjet që më drejtoni. Nëpërmjet biografisë dhe bibliografisë sime, keni arritur të rindërtoni, duke krijuar në njëfarë shkallëzimi, etapat e ndryshme të jetës sime.

Libri Stuhia e orëve lidhet me kalimin e detit, me një peshkarexhë, nga Durrësi në Brindizi. Jemi nisur më 7 mars nga Durrësi dhe kemi mbërritur më 8 mars në Brindizi. Këto dy data mbartin për mua një simbolikë të veçantë: 7 marsi përkon me Ditën e Mësuesit, ndërsa 8 marsi me Ditën e Gruas.

Në thellësinë e një kuptimi që në pamje të parë mund të duket abstrakt, këto dy data pasqyrojnë, në njëfarë mënyre, edhe rrugëtimin tim për në Itali. Te 7 marsi kam gjetur pasqyrimin e punës që kam bërë si ndërmjetëse gjuhësore në shkolla, duke u mësuar gjuhën nxënësve shqiptarë. Ndërsa 8 marsi më vendos në një tjetër dimension, atë të festimit të poezisë dhe të prozës, duke më dhuruar çdo herë që shkruaj, një mimozë virtuale.

Shpesh i them vetes: ktheje kokën pas dhe shiko çfarë ke bërë. Sepse ajo që kam dëshiruar të bëj, pra të shkruaj, atë e kam realizuar pikërisht në Itali. Është sikur ky vend të jetë bërë hapësira ku ëndrra ime e hershme ka gjetur mundësinë të marrë formë dhe të bëhet realitet.

Poezia, mendimi dhe frymëzimi lidhen me substancën e shpirtit, me atë entitet enigmatik që i mbart këto cilësi si trashëgimi, si një shteg fati, si pjesë të identitetit të talentit që i dhurohet njeriut. Ky shpirt, me misteret dhe nevojën e tij të pashtershme për t’u shprehur, vazhdon të trokasë në çdo çast të jetës, deri në frymën e fundit.

Ndoshta pikërisht kjo është ajo që e bën krijimin një thirrje të pandërprerë: nuk është thjesht një dëshirë që njeriu zgjedh ta ndjekë, por një zë i brendshëm që e shoqëron gjatë gjithë jetës.

Mirësia dhe jeta në kreshtën e zemrës

Më vonë vjen Richiamare al bene, një thirrje drejt së mirës. Pas gjithë asaj që njeriu sheh, përjeton dhe humbet gjatë jetës, a është mirësia ende një bindje për ju apo është bërë një formë rezistence?

Kam vënë re se në jetë gjithçka është si një bumerang: herët a vonë, ajo që japim, në një formë apo në një tjetër, kthehet tek ne. Më duket si një ligj i pashkruar, por që ekziston dhe mund të kuptohet përmes një vëzhgimi të kujdesshëm, pra empirik, të vetë jetës.

Jeta, në thelb, është një ndërthurje ngjarjesh dhe përjetimesh që përmbajnë gëzim, trishtim, hidhërim, mërzi dhe lodhje. Të gjitha këto përbëjnë lëndën me të cilën ndërtohen vitet tona dhe i shndërrojnë ato në atë që shpesh e quajmë “luftë”: një përpjekje të vazhdueshme, një akt rezistence, qëndrese dhe force.

Përballë këtyre përvojave, secili prej nesh thirret të vërë në përdorim cilësitë dhe virtytet e veta, për të zgjedhur njerëzoren, të mirën, atë që e bën individin të ndihet në paqe me veten dhe me ndërgjegjen e tij.

Pikërisht ky është mesazhi që përcjell ky libër: pavarësisht përballjeve dhe vështirësive që na rezervon jeta, ajo që ka vërtet rëndësi është të mos humbasim njerëzoren brenda vetes dhe të ruajmë atë ekuilibër të brendshëm që na lejon të jetojmë në paqe me ndërgjegjen tonë.

Titulli Sul crinale del cuore, “Në kreshtën e zemrës”, të çon në një vend të bukur, por edhe të rrezikshëm, ku një hap mund të të çojë në njërën anë ose në tjetrën. A ka jetuar Valbona Jakova më shumë duke e mbrojtur zemrën apo duke e rrezikuar atë?

Vargun Sul crinale del cuore e kam ndier brenda vetes, sikur të ishte një shprehje që kishte marrë formë në botën time të brendshme shumë përpara se të bëhej titull libri. Është një varg i marrë nga njëra prej poezive të vëllimit, por që mbartte një domethënie më të gjerë, përtej vetë poezisë.

Ishte poetja italiane Franca Palmieri, e cila ka shkruar edhe pasthënien e librit, që më sugjeroi ta përdorja këtë varg si titull. Sugjerimi i saj më bëri të kuptoja se ndonjëherë një lexues, sidomos kur është vetë poet, arrin të zbulojë në fjalët tona një kuptim që ne e kemi ndier intuitivisht, por ndoshta nuk e kemi artikuluar plotësisht.

Për mua, Sul crinale del cuore është një metaforë e gjendjes njerëzore: të qëndrosh në kreshtën e zemrës do të thotë të jetosh mes kundërshtive, në atë vijë të brishtë ku takohen dashuria dhe dhimbja, drita dhe hija, kujtesa dhe harresa. Është një pikë ekuilibri, por edhe një vend përballjeje me vetveten.

Më pëlqen të mendoj se ky titull lindi nga një ndjesi e imja, por gjeti konfirmimin e vet përmes vështrimit të një poeteje tjetër. Ndoshta kjo është edhe një nga bukuritë e letërsisë: ajo që lind në intimitetin e një shpirti mund të gjejë jehonë dhe të marrë kuptim të ri në shpirtin e një tjetri.

Dashuritë në ikje dhe gjuha që i paraprin fjalës

Në poezinë “Mes shpirtrash”, dashuria afrohet dhe largohet njëkohësisht, derisa mbetet “përjetësisht, në ikje”. A janë pikërisht dashuritë që nuk përmbushen ato që jetojnë më gjatë në poezi, sepse realiteti nuk pati mundësi t’i konsumonte?

Besoj se dashuritë që nuk përmbushen kanë një jetëgjatësi të veçantë në poezi, pikërisht sepse mbeten të papërfunduara. Ato nuk arrijnë të konsumohen nga përditshmëria, nga zakonet apo nga realiteti, por vazhdojnë të jetojnë në hapësirën e dëshirës, të kujtesës dhe të imagjinatës.

Në poezinë «Mes shpirtrash», dashuria shfaqet si një lëvizje e vazhdueshme mes afrimit dhe largimit, mes dëshirës për të qenë pranë dhe pamundësisë për të qëndruar. Shprehja «përjetësisht, në ikje» për mua përmbledh pikërisht këtë gjendje: një dashuri që nuk largohet plotësisht, por as nuk arrin të bëhet prani e përhershme.

Ndoshta ajo që nuk përjetohet deri në fund mbetet më gjatë brenda nesh, sepse nuk ka marrë kurrë një përgjigje përfundimtare. Ajo vazhdon të ushqehet nga pyetjet, nga mundësitë e parealizuara, nga ajo që mund të kishte ndodhur dhe nuk ndodhi. Në njëfarë mënyre, e papërmbushura fiton një jetë të dytë në përfytyrim.

Megjithatë, nuk do të thosha se vetëm dashuritë e papërmbushura janë të pavdekshme në poezi. Edhe dashuria e jetuar, e përjetuar në plotësinë e saj, mund të bëhet poezi. Por dashuria që mbetet pezull ka një veçanti: ajo nuk mbyllet brenda një përfundimi, nuk i bindet kohës dhe vazhdon të ekzistojë si një mundësi e hapur.

Ndoshta poezia është pikërisht vendi ku dashuritë e pamundura gjejnë mundësinë për të mos vdekur kurrë. Aty ku jeta vendos një kufi, fjala poetike hap një horizont. Dhe ndonjëherë, ajo që mbetet përgjithmonë në ikje, është pikërisht ajo që nuk resht kurrë së ardhuri brenda nesh.

Në të njëjtën poezi shkruani për “gjuhën e shikimit të kthjellët”. A ka gjëra që syri arrin t’ia thotë një njeriu dhe që as poeti, me gjithë pushtetin e fjalës, nuk arrin t’i shkruajë?

Patjetër që ka. Madje, besoj se ekziston një gjuhë që i paraprin fjalës dhe që ndonjëherë është shumë më e fuqishme se ajo: gjuha e syve. Shikimi është një formë komunikimi që nuk ka nevojë për përkthim, sepse arrin të përcjellë atë që fjala shpesh e ka të vështirë ta shprehë.

Sytë mund të zbulojnë dashurinë, dëshirën, por edhe heshtjen që mbartin brenda tyre histori të tëra. Një shikim i kthjellët mund të depërtojë përtej pamjes së jashtme dhe të prekë atë pjesë të njeriut që mbetet e fshehur nga fjalët.

Për mua, “gjuha e shikimit të kthjellët” është aftësia për ta parë tjetrin pa paragjykime, për të depërtuar në thelbin e tij dhe për të kuptuar edhe atë që nuk thuhet. Është një komunikim i heshtur, por jo i varfër; përkundrazi, shpesh është më i pasur se çdo rrëfim.

Poeti ka në dispozicion fuqinë e fjalës, por duhet të pranojë edhe kufijtë e saj. Ka ndjenja që mund të përjetohen, por jo të përkufizohen; ka çaste që mund të ruhen vetëm në kujtesën e një shikimi. Ndoshta pikërisht aty fillon poezia: në përpjekjen për t’i dhënë formë asaj që nuk mund të thuhet plotësisht.

Në fund të fundit, fjala mund të përshkruajë një ndjenjë, ndërsa shikimi mund ta bëjë atë të pranishme. Dhe ndoshta sekreti i poezisë qëndron pikërisht në këtë përpjekje të pafundme për të shkruar atë që shpirti e ka kuptuar përpara se mendja të gjejë fjalët.

Fëmija brenda nesh dhe lumturia e gjërave të vogla

Keni shkruar edhe për fëmijë dhe të rinj. Kur i drejtoheni një fëmije, a ju duhet ta thjeshtoni gjuhën apo, përkundrazi, të bëheni edhe më e ndershme, sepse fëmija e dallon më shpejt se i rrituri kur një fjalë nuk është e vërtetë?

Në traditën e krishterë, Jezusi e vendos fëmijën në qendër të një mesazhi të rëndësishëm shpirtëror: “Nëse nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në Mbretërinë e Qiellit.”.

Italianët përdorin shpesh një shprehje që më pëlqen shumë: “Ruaje të paprekur fëmijën që jeton brenda teje”. Mendoj se ky fëmijë i brendshëm na ndihmon t’i kuptojmë më mirë të tjerët, sepse brenda çdo njeriu të rritur jeton kujtesa e të gjitha etapave të jetës së tij. Pafajësia e fëmijës vazhdon të na flasë me gjuhën e vet, duke na ndihmuar të mbetemi të thjeshtë, të çiltër dhe të afërt me këdo që na rastis të njohim.

Ky fëmijë që rritet bashkë me ne nuk i harron kurrë lojërat, ëndrrat dhe mënyrën e tij të veçantë për ta zbuluar botën. Mendoj se kjo lloj kujtese është një pasuri e vërtetë, sepse shndërrohet në një nga format më të mira të edukimit dhe të qasjes psikologjike ndaj fëmijëve. Kur arrijmë të kujtojmë se si kemi menduar, ndier dhe ëndërruar në fëmijëri, bëhemi më të aftë t’i kuptojmë ata, të komunikojmë me ta dhe të mos biem në gabimet që shpesh i karakterizojnë të rriturit.

Përvoja ime e punës me fëmijët ka ndikuar thellësisht edhe në mënyrën time të të shprehurit. Ajo më ka shtyrë të flas gjuhën e tyre, t’u përshtatem botës dhe ndjeshmërisë së tyre, deri në atë pikë sa, për nevoja didaktike, frymëzimi më ka zgjuar edhe dëshirën për të krijuar këngë për fëmijë. Këto këngë ua kam kushtuar shkollave ku kam punuar në Itali.

Në njëfarë mënyre, fëmijët nuk kanë qenë vetëm pjesë e punës sime, por edhe burim frymëzimi dhe krijimtarie. Ata më kanë ndihmuar të mbaj gjallë atë pjesë të vetes që di të luajë, të ëndërrojë, të mrekullohet dhe të komunikojë pa paragjykime. Ndoshta ky është një nga mësimet më të bukura që më ka dhënë jeta: për t’i edukuar fëmijët, duhet të mos e humbasim kurrë aftësinë për të qenë paksa fëmijë edhe vetë.

Nëse do të kishit një pasdite krejtësisht të lirë, pa telefon, pa obligime dhe pa afate, si do ta kalonte Valbona Jakova atë pasdite?

Këtë përvojë do të doja ta përcillja edhe te nipërit e mi. Tek ata kam zbuluar një fenomen të mrekullueshëm: ndjenjat prindërore, në njëfarë mënyre, zgjohen përsëri dhe ripërtërihen. Është sikur jeta, në një etapë tjetër të saj, në prag të moshës së tretë, të na dhurojë një mundësi të dytë për të përjetuar butësinë, përkujdesjen dhe dashurinë prindërore.

Tek nipërit, njeriu rigjen diçka nga vetja e dikurshme, nga kujtimet e fëmijëve të tij, por edhe nga fëmija që vazhdon të jetojë brenda tij. Është një rikthim i ndjenjave, por edhe një vazhdimësi e dashurisë në një formë të re. Ndoshta kjo është një nga dhuratat më të bukura që na rezervon jeta: të na lejojë ta përjetojmë edhe një herë magjinë e rritjes së një fëmije, kësaj radhe me më shumë përvojë, më shumë durim dhe një tjetër vetëdije për vlerën e çdo çasti.

Ky është vërtet një fenomen i mrekullueshëm, sepse na dëshmon se dashuria nuk njeh moshë dhe se disa ndjenja nuk shuhen me kalimin e viteve; ato thjesht presin një mundësi të re për të lulëzuar.

Dhe po t’jua hiqnim për një çast poeten, përkthyesen, çmimet, librat dhe vetë mbiemrin Jakova, kush është Valbona që mbetet vetëm me veten, kur mbyllet dera, heshtin gjuhët e botës dhe nuk ka më nevojë t’i dëshmojë asgjë askujt?

Është ajo që bën shaka me bashkëshortin e saj, që eksperimenton në kuzhinë me receta të shpikura nga vetë ajo; është ajo që këndon kur nuk e dëgjon askush, sepse kështu këndon pa emocione të sforcuara, me një spontanitet që i buron natyrshëm nga shpirti.

Është ajo që ujit lulet dhe u flet sikur të ishin qenie që e kuptojnë: «Rrituni, dua t’ju shoh të bukura!» Dhe lulet gjelbërojnë, rriten, sikur t’i përgjigjen dashurisë së saj.

Është ajo që, kur vështron sytë e butë të zogjve dhe të kafshëve, veçanërisht të qenit, kësaj krijese kaq besnike, ndien se bota ka ende shumë për të dhuruar. Atëherë thotë me vete: «Sa shumë gëzime na fal kjo botë!»

Është gruaja që nuk ka nevojë për ngjarje të jashtëzakonshme për të qenë e lumtur. Ajo e gjen bukurinë në gjërat e vogla, në një shaka, në një këngë të kënduar në vetmi, në një lule që çel, në vështrimin e një kafshe. Është ajo që di të ruajë brenda vetes fëmijën e dikurshëm, atë pjesë të çiltër që vazhdon të mrekullohet nga jeta. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.