Stacioni Policor në Ferizaj, në bashkëpunim me Brigadën e Zjarrfikësve dhe institucionet e tjera përgjegjëse, ka realizuar një ushtrim simulues për evakuim dhe reagim në rast zjarri në SHFMU “Tefik Çanga”.
Ushtrimi është zhvilluar më 23 shtator 2026, me pjesëmarrjen e nxënësve të klasave të teta, drejtorisë dhe stafit të shkollës, mësimdhënësve, stafit teknik dhe ekipeve të institucioneve emergjente.
Sipas Policisë Rajonale të Ferizajt, qëllimi i aktivitetit ishte ngritja e nivelit të sigurisë dhe vetëdijesimi i nxënësve e stafit të shkollës, si dhe forcimi i gatishmërisë dhe koordinimit institucional për reagim të shpejtë në situata emergjente.
Në ushtrim janë përfshirë Policia e Ferizajt, Brigada e Zjarrfikësve, ekipet e urgjencës mjekësore, Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, Kryqi i Kuq, Drejtoria e Arsimit dhe institucione të tjera relevante.
Policia Rajonale e Ferizajt ka vlerësuar se ushtrimet e tilla kontribuojnë në rritjen e sigurisë në institucionet arsimore dhe në përgatitjen e nxënësve dhe stafit për reagim të koordinuar në raste emergjente.
“Siguria e nxënësve është përgjegjësi e përbashkët, ndërsa bashkëpunimi institucional dhe përgatitja paraprake janë thelbësore për një reagim sa më të shpejtë dhe profesional në çdo situatë emergjente”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/