Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar propozim-vendimin për subvencionimin e familjeve strehuese, përmes të cilit këto familje do të përfitojnë mbështetje financiare shtesë nga buxheti komunal.
Këtë e ka bërë të ditur drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan, Mimoza Kadriu, e cila ka thënë se me këtë vendim, Gjilani bëhet komuna e dytë në nivel vendi për nga madhësia e mbështetjes financiare për familjet strehuese.
Sipas Kadriut, mbështetja financiare do të jetë 200 euro në muaj për familjen strehuese dhe nga 100 euro shtesë për secilin fëmijë të strehuar.
Kështu, një familje që strehon një fëmijë do të përfitojë 300 euro në muaj, ajo me dy fëmijë 400 euro, ndërsa familja me tre fëmijë 500 euro.
Ndërkaq, për familjet që strehojnë fëmijë me aftësi të kufizuara, mbështetja do të jetë 200 euro bazë për familjen dhe nga 200 euro shtesë për secilin fëmijë me aftësi të kufizuara.
Kadriu ka theksuar se kjo mbështetje komunale do t’i shtohet asaj financiare që familjet strehuese tashmë e përfitojnë nga niveli qendror.
“Ky vendim është më shumë se mbështetje financiare. Është vlerësim për familjet që marrin përsipër një përgjegjësi të jashtëzakonshme humane dhe një investim në mirëqenien, dinjitetin dhe të ardhmen e fëmijëve”, ka shkruar Kadriu në Facebook.
Ajo gjithashtu ka ftuar familjet që kanë vullnet të bëhen familje strehuese që të paraqiten pranë institucioneve përkatëse dhe të informohen për procedurat dhe mundësitë e strehimit familjar.
“Si Drejtori e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, do të vazhdojmë të punojmë për politika konkrete që vendosin fëmijën, familjen dhe mirëqenien e qytetarëve në qendër të përgjegjësisë sonë institucionale”, ka deklaruar Kadriu.
Ajo ka falënderuar asamblistët që e kanë mbështetur propozim-vendimin. /Telegrafi/

