Forcat ukrainase njoftuan se kanë goditur një bazë që i përket njësisë elitare ruse të dronëve “Rubikon”, e cila ndodhej thellë në territorin e pushtuar. Forcat e Mbrojtjes së Jugut deklaruan se “ky operacion vërteton edhe një herë se nuk ka asnjë zonë të sigurt në prapavijë për pushtuesit rusë”, raporton The Kyiv Independent.
Sulmi ndaj bazës në Berdianskun e pushtuar, në rajonin e Zaporizhzhia-s, u krye si një operacion i përbashkët ku morën pjesë Forcat e Mbrojtjes së Jugut, Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme (SZRU), Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) dhe Regjimenti i 412-të i Veçantë i Sistemeve pa Pilot. Baza ndodhej 107 kilometra larg vijës së frontit.
Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, sulmi ndodhi më 7 nëntor. Ai kishte për objektiv një pozicion të përkohshëm të përdorur nga njësia, si dhe një qendër komandimi për operacionet me dronë.

