Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, zhvilluan një takim të shkurtër, të paparalajmëruar, në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Shenzhen të Kinës.
Takimi i 19 nëntorit nuk kishte karakterin e një takimi zyrtar dypalësh.
Ai u zhvillua në kompleksin qeveritar të pritjeve, Kylin Villa, në një dhomë të veçantë të qendrës së konferencave, ku po mbaheshin seancat plenare të samitit.
Zyrtarët amerikanë e përshkruan për Radion Evropa e Lirë si një bisedë të shkurtër joformale.
Sipas gazetarëve që përcjellin aktivitetet e Shtëpisë së Bardhë, Trump hyri në dhomë në orën 12:15, sipas kohës lokale, i shoqëruar nga sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, dhe shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller.
Pamjet televizive, të regjistruara nga grupi i gazetarëve të akredituar, treguan se Trump iu afrua menjëherë Putinit dhe ia shtrëngoi dorën.
Teksa po i afrohej Putinit, Trump u dëgjua duke thënë: “Kush është ai? Ai është miku im”, sipas një regjistrimi të dëgjuar nga njëri prej gazetarëve.
Trump më pas bëri disa komente të shkurtra, duke thënë se ai dhe Putin njihen prej shumë vitesh dhe se kanë ruajtur marrëdhënie të mira.
“E presim me padurim takimin tonë. Kemi pasur marrëdhënie të shkëlqyera për shumë vite. Njihemi prej kohësh dhe mendoj se nga ky takim mund të dalin shumë gjëra të mrekullueshme, ose të paktën mund të marrin udhë. Por, besoj se ato do të realizohen”, tha Trump, sipas regjistrimit të gazetarëve të akredituar.
Ai paralajmëroi, gjithashtu, se më vonë do të zhvillohet edhe një takim i dytë.
“Do të kemi një takim të dytë më vonë, siç ndoshta e dini”, tha Trump.
Gazetarëve amerikanë iu lejua të regjistronin shkëmbimin fillestar të deklaratave, por nuk iu lejua të qëndronin brenda gjatë takimit.
Zyrtarët rusë e arsyetuan kufizimin e qasjes me nevojën për trajtim të barabartë të të dyja palëve dhe me hapësirën e kufizuar të dhomës.
Trump u largua nga dhoma e takimit në orën 12:57, sipas kohës lokale.
Nga takimi u publikuan vetëm pamje të kufizuara nga gazetarët e akredituar, të cilëve nuk iu lejua qasje e mëtejshme.
Takim i kufizuar diplomatik
Takimi mes Trumpit dhe Putinit ishte më i kufizuar sesa një takim i zakonshëm zyrtar dypalësh.
Takime të tilla, të njohura në diplomaci si ‘pull-aside’, janë biseda të shkurtra mes udhëheqësve, shpesh joformale, në margjinat e tubimeve të mëdha ndërkombëtare.
Ato mundësojnë komunikim të drejtpërdrejtë, pa përgatitje të hollësishme, pjesëmarrje të delegacioneve dhe agjendë të përcaktuar, siç ndodh zakonisht me takimet zyrtare dypalëshe.
Në këtë rast, takimi nuk ishte përfshirë në agjendën fillestare publike të Trumpit.
Një zyrtar i lartë amerikan i tha më herët Radios Evropa e Lirë se një takim i tillë kishte “shumë gjasa të ndodhte, nëse kushtet do ta lejonin”.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u panë pranë dhomës ku u zhvillua takimi.
Ukraina mbetet çështje kyç
Takimi u zhvillua në kohën kur Rusia po vazhdon luftën kundër Ukrainës dhe përpjekjet ndërkombëtare për arritjen e një marrëveshjeje të paqes vazhdojnë.
Ky ishte takimi i parë ballë për ballë mes Trumpit dhe Putinit që nga bisedimet e tyre në Alaskë, vitin e kaluar, të cilat përfunduan pa ndonjë marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.
Ukraina këmbëngul vazhdimisht se duhet të marrë pjesë në çdo negociatë që lidhet me të ardhmen e saj.
Më 18 nëntor, i ngarkuari me punë i Ukrainës në Uashington, Denys Sienik, i tha Radios Evropa e Lirë se çështjet që kanë të bëjnë me Ukrainën, duhet të zgjidhen me pjesëmarrjen e saj, ndërsa diskutimet për sigurinë evropiane kërkojnë përfshirjen e vendeve evropiane.
Sienik tha, gjithashtu, se Moskës nuk duhet t’i lejohet t’i shfrytëzojë tubimet ndërkombëtare për të promovuar qëndrimet e saj, duke theksuar se asnjë vendim për Ukrainën nuk mund të merret pa përfshirjen e Kievit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha në fjalimin e tij të mbrëmjes se të dërguarit amerikanë do t’i informonin zyrtarët ukrainas në Berlin, më 19 nëntor, për bisedimet e Trumpit me udhëheqësit kinezë në Pekin.
Kievi pritej, gjithashtu, të merrte informacione të drejtpërdrejta nga partnerët pjesëmarrës në samitin në Kinë.
Senatorët kërkojnë qëndrim më të ashpër
Përpara takimeve të Trumpit me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe atë kinez, Xi Jinping, nëntë senatorë demokratë lëshuan një deklaratë, duke i bërë thirrje presidentit që t’i mbrojë interesat e Shteteve të Bashkuara dhe t’u kundërvihet atyre që i cilësuan si kërcënime në rritje nga Pekini dhe Moska.
Deklarata u udhëhoq nga senatorja Jeanne Shaheen nga Nju Hempshir – demokratja më e lartë në hierarkinë e Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit – dhe u mbështet nga senatorët Chris Coons, Tim Kaine, Jeff Merkley, Cory Booker, Brian Schatz, Chris Van Hollen, Tammy Duckworth dhe Jacky Rosen.
Senatorët paralajmëruan se samiti nuk duhet të shndërrohet në një mundësi për fuqitë e mëdha për ta ndarë botën në sfera konkurruese të ndikimit.
Ata i bënë thirrje Trumpit t’i kërkojë llogari presidentit kinez, Xi Jinping, për mbështetjen që Kina u jep përpjekjeve luftarake të Rusisë, përfshirë përmes furnizuesve dhe institucioneve financiare kineze, të cilat, sipas senatorëve, ndihmojnë në vazhdimin e operacioneve ushtarake të Moskës.
Senatorët kërkuan, gjithashtu, që Trump t’ia bëjë të qartë Putinit se siguria evropiane nuk është e negociueshme dhe se nuk mund të ketë negociata për Ukrainën pa pjesëmarrjen e saj.
Ligjvënësit kërkuan edhe zbatimin e kontrolleve amerikane mbi eksportet, marrjen e masave ndaj presionit ushtarak të Kinës mbi Tajvanin, si dhe lirimin e personave që, sipas tyre, mbahen padrejtësisht në Kinë.
“Siguria amerikane nuk mund të vihet në pazar për mundësi fotografimi apo për përfitime personale”, thanë senatorët.
Ata i bënë thirrje Trumpit që të ndërmarrë masa me pasoja konkrete për Putinin, për shkak të agresionit rus, në vend se t’i bëjë lëshime që mund të cenojnë Ukrainën, aleatët e NATO-s dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. /REL

