Shtëpia e Bardhë raportohet se po shqyrton masa të reja sigurie për presidentin amerikan, Donald Trump përfshirë përdorimin e mundshëm të një jeleku antiplumb.
Ky shqyrtim vjen pas të shtënave të regjistruara në darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.
Korrespondenti i Fox News, Peter Ducey, raportoi se diskutimet janë duke vazhduar në nivelet më të larta rreth mundësisë që Trump mund të fillojë të veshë një jelek antiplumb në paraqitjet e ardhshme publike.
Trump është përballur tani me tre kërcënime serioze kundër jetës së tij nga po aq sulmues të armatosur, njëri prej të cilëve për pak sa nuk e qëlloi në kokë.
Të shtënat me armë zjarri u regjistuan të dielën në darkën vjetore të Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.
Darka sapo kishte filluar kur një rrëmujë e madhe u dëgjua në hyrje të sallës.
Të pranishmit menjëherë u shtrinë në dysheme. Presidenti dhe zonja e parë Melania Trump, të cilët ishin ulur në tryezën qendrore në një vend të ngritur përballë mysafirëve, u larguan nga rojet e sigurisë.
Agjentët e shërbimit sekret hynë në dhomë të armatosur rëndë. Forcat e sigurisë më pas urdhëruan mysafirët, gazetarë, ministra, politikanë dhe personalitete të ndryshme, të largoheshin nga salla e madhe. Autori i ngjarjes menjëherë u arrestua ndërsa hetimet vijojnë. /Telegrafi/