Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë një deklaratë ironike lidhur me shumën prej 5000 dollarësh.
Ai ka thënë se me pesë mijë dollarë, në rezidencën e tij Mar-a-Lago, dikush do të mund të blinte vetëm një hamburger dhe ndoshta një ëmbëlsirë të vogël.
“Madje, mund të vish edhe në Mar-a-Lago. Do të jesh mysafiri im. Problemi është se me 5000 dollarë, maksimumi që do të mund të blesh është një hamburger dhe ndoshta një ëmbëlsirë të vogël”, tha 80-vjeçari.
Lideri amerikan e vazhdoi deklaratën me një tjetër koment ironik, duke shtuar se nuk ishte as i sigurt nëse kjo shumë do të mjaftonte për të blerë edhe ato.
Deklarata e Trumpit tërheq vëmendjen për mënyrën ironike se si ai iu referua shumës prej 5000 dollarësh.
Ndryshe, Mar-a-Lago është një rezidencë historike dhe klub privat luksoz në Palm Beach të Floridës, e cila është bërë një nga pronat më të njohura të Trumpit. E vendosur mes Oqeanit Atlantik dhe liqenit Worth, prona shquhet për arkitekturën e saj madhështore, kopshtet e gjera dhe hapësirat luksoze.
Rezidenca u ndërtua nga afaristja amerikane, Marjorie Merriweather Post dhe u përfundua në vitet 1920. Në vitin 1985, Trump e bleu pronën, ndërsa në vitin 1995 ajo u shndërrua në një klub privat, ku organizohen pritje dhe ngjarje ekskluzive.
Prona shtrihet në rreth 20 akra tokë dhe përfshin sallone luksoze, restorante, pishinë, hapësira për sport dhe një zonë private plazhi.
Mar-a-Lago është gjithashtu një pikë takimi për figura të politikës, biznesit dhe jetës publike, ndërsa Trump e përdor si rezidencë dhe vend për takime e pritje politike.
Për shkak të rolit të saj në jetën politike të Trumpit, Mar-a-Lago shpesh është përshkruar në media si një lloj “Shtëpie e Bardhë dimërore”, megjithëse nuk është seli zyrtare e presidencës amerikane. /Telegrafi/

