Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar Kimberly Guilfoyle të japë dorëheqje nga posti i ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Greqi.
Këtë e konfirmoi të martën zëdhënësja e re e Shtëpisë së Bardhë, Katie Zacharia, e cila për herë të parë është paraqitur para mediave pas largimit të Karoline Leavitt.
“Ne i kemi kërkuar ambasadores Guilfoyle të japë dorëheqje. Ajo ka qenë një aset i çmuar për ekipin dhe i dëshirojmë gjithë të mirat”, deklaroi Zacharia gjatë një konference për media, pa dhënë detaje të tjera për vendimin.
Vendimi vjen një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se po shqyrtonte mundësinë e shkarkimit të Guilfoyle, duke deklaruar se administrata nuk ishte e kënaqur me të.
Ambasadorja është përballur me vëmendje të shtuar pas raportimeve për sjellje të papërshtatshme para emërimit të saj.
Sipas The Wall Street Journal, ajo dyshohet se i kishte kërkuar një donatori të Trumpit një kontribut prej 100 mijë dollarësh për të mbuluar një faturë të kartës së kreditit, si dhe se kishte pasur raste të tjera të diskutueshme lidhur me dhuratat dhe marrëdhëniet me zyrtarë.
Këto pretendime nuk janë paraqitur nga Shtëpia e Bardhë si arsye zyrtare për kërkesën për dorëheqje. Ambasada amerikane në Athinë nuk kishte dhënë menjëherë një koment për këtë çështje.
Guilfoyle, ish-prezantuesja televizive dhe ish-e fejuara e Donald Trump Jr., djalit të presidentit amerikan, u emërua ambasadore e SHBA-së në Greqi gjatë administratës Trump.
Greqia është aleate e rëndësishme e SHBA-së në NATO dhe ka një rol strategjik në Mesdheun Lindor, ku ofron objekte të rëndësishme ushtarake për operacionet amerikane. /Telegrafi/

