Presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi të dielën Jensen Huang-un, drejtorin ekzekutiv të Nvidia-s, si një njeri të nderuar dhe vlerësoi kontributin e tij për Shtetet e Bashkuara, por theksoi se nuk ka biseduar me të lidhur me akuzat për një marrëdhënie me një biznesmene kineze, e cila dyshohet se ka përcjellë informacione në Pekin.
“Nuk kam folur me të për këtë çështje. E di vetëm se është një njeri i mirë, por nuk i dihet kurrë se çfarë po ndodh”, u tha Trump gazetarëve. “Shpresoj që gjithçka të jetë në rregull”.
“Mendoj se është një njeri i nderuar”, tha Trump, duke shtuar se Huang “ka bërë një punë të jashtëzakonshme për vendin tonë”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Nvidia njoftoi të dielën se po heton nëse Huang ka qenë objektiv i një operacioni të inteligjencës së huaj, pasi një raportim në media pretendoi se ai kishte një marrëdhënie të ngushtë me një biznesmene kineze, e cila dyshohet se ka përcjellë informacione në Pekin.
“Besoj se ai ndoshta ka një shpjegim për këtë. Duhet dëgjuar versioni i tij”, ka thënë më tej Trump.
I pyetur nëse do ta marrë Huang-un me vete në udhëtimin e tij në Azi javën e ardhshme, Trump u përgjigj: “Nuk e di, por sigurisht që do ta merrja”. /Telegrafi/

