Trajneri i Fenerbahces, Ismail Kartal, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij pas ndeshjes ndaj Romës në Ligën e Kampionëve, pavarësisht se skuadra turke zhvilloi një paraqitje të mirë dhe mori një pikë në barazimin 1-1.
Kartal, duke folur pas ndeshjes, fillimisht vlerësoi paraqitjen e skuadrës së tij dhe theksoi se Fenerbahçe e kishte përgatitur mirë planin përballë një kundërshtari të fortë si Roma.
Megjithatë, menjëherë pas këtyre fjalëve erdhi njoftimi i papritur. Kartal bëri të ditur se po largohet nga posti i trajnerit të Fenerbahçes, duke theksuar se vendimi i tij është i parevokueshëm.
“Po jap dorëheqjen nga pozicioni im. Po jap dorëheqjen sa ka ende kohë. Po jap dorëheqjen me mirëkuptimin se nuk do të kthehem më kurrë”, tha Kartal.
Kartal zbuloi se kishte qenë në krye të Fenerbahçes për vetëm tre muaj dhe falënderoi drejtuesit e klubit për mbështetjen gjatë kësaj periudhe.
“Kam qenë këtu për tre muaj. Që nga fillimi i sezonit deri më tani, seancat stërvitore dhe kampet që kam zhvilluar me lojtarët e mi… Presidenti dhe menaxherët tanë janë përpjekur të na ndihmojnë në çdo mënyrë. Ishin ditë të mrekullueshme. Që nga kjo mbrëmje, i përgëzoj lojtarët e mi dhe po jap dorëheqjen nga pozicioni im”, përfundoi ai.
Dorëheqja e Kartalit vjen në një moment të papritur për Fenerbahçen, e cila sapo ka nisur aventurën në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve dhe në ndeshjen e parë arriti të marrë një pikë ndaj Romës. /Telegrafi/