Kompania Trepça ka njoftuar për hyrjen në një fazë të rëndësishme të zhvillimit të projektit për parcelat strategjike në Graçanicë, ku kanë nisur punimet për ndërtimin e infrastrukturës bazë nëntokësore.
Sipas njoftimit, aktualisht fokusi i punimeve është në vendosjen e gypave të kanalizimit të ujërave, sistemimin e rrjetit të drenazhimit, si dhe përgatitjen e terrenit për zhvillimin e mëtejmë të infrastrukturës së qëndrueshme.
“Projekti për parcelat strategjike në Graçanicë po hyn në një nga fazat më të rëndësishme – ndërtimin e infrastrukturës bazë nëntokësore”, thuhet në njoftim.
Nga Trepça vlerësohet se ky avancim përbën një hap të rëndësishëm drejt krijimit të kushteve për zhvillimin e një zone moderne ekonomike.
“Me këtë avancim, po krijojmë bazën reale për zhvillimin e një zone moderne ekonomike, të gatshme për operatorë dhe investitorë strategjikë”, theksohet më tej.
Ky projekt pritet të ndikojë në rritjen e potencialit zhvillimor dhe ekonomik të zonës, duke krijuar hapësira të reja për investime. /Telegrafi/