Një rrugëtim i jashtëzakonshëm i mbushur me drama lufte, kalvar lëndimesh dhe triumfe në futbollin evropian,
Elena Sadiku, 32-vjeçarja me prejardhje nga Kosova, ka shkruar historinë duke u bërë trajnerja më e re ndonjëherë (te meshkujt apo femrat) që nominohet për çmimin prestigjioz të "Trajnerit më të Mirë të Vitit" nga “Topi i Artë” (Ballon d'Or), transmeton Klankosova.tv.
Lajmin për nominimin e mori krejt papritur në korridorin e klubit, kur një nga ndihmëset e saj i tregoi ekranin e telefonit.
Elena, je nominuar për Trajneren e Vitit”, i tha ajo. “Pashë logon e ‘Topit të Artë’ dhe mbeta: ‘Topi i Artë?’. As ajo nuk e kishte vënë re logon, kështu që bërtiti: ‘Topi i Artë?! O Zot!’. Ajo u bë histerike, ndërsa unë mbeta e shokuar”, ka rrëfyer Sadiku për ESPN.
Thyerja e barrierave të moshës nuk është e panjohur për të: dy vjet më parë ajo theu rekordin e Julian Nagelsmannit si trajnerja më e re që udhëheq një ndeshje në Ligën e Kampionëve. Nominimi i sivjetmë vjen pas suksesit historik me skuadrën suedeze BK Häcken, të cilën e udhëhoqi drejt fitimit të trofeut të parë në edicionin inaugurues të UEFA Women's Europa Cup, trofeu i parë evropian i klubit që nga themelimi në vitin 1970.
Suksesi i Sadikut nxjerr në pah edhe një nga sfidat më të mëdha të futbollit të grave, ajo është e vetmja femër në mesin e kandidatëve për këtë çmim, krah emrave si Jonatan Giraldez, Andree Jeglertz, Nils Nielsen dhe Pere Romeu.
https://klankosova.tv/top-10-shja-e-nominuar-per-ballon-d-or
Statistikat mbeten shqetësuese, në Kupën e Botës 2023, vetëm 12 nga 32 ekipet drejtoheshin nga gra, teksa studimet flasin për rënie të numrit të trajnereve femra.
Sadiku ngre zërin edhe për nevojën e mbështetjes institucionale për lehoninë:
Mendoj se duhet pranuar ideja që, nëse bëhem nënë, mund të marr pushim lehonie për të paktën një ose dy muaj derisa të rifilloj punën. Është diçka që më frikëson disi. Do të doja të bëhesha nënë, por tani përqendrimi im është te karriera. Klubi duhet të të mbështesë, pa marrë parasysh nëse je burrë apo grua”, theksoi ajo.
Fëmijëria e Elenës ishte e mbushur me sakrifica, prindërit e saj u larguan nga Kosova në fillim të viteve të 90-ta për shkak të luftërave në ish-Jugosllavi dhe u vendosën në Gjermani, ku ajo lindi. Familja u kthye në Kosovë kah fundi i asaj dekade, por shpërthimi i luftës së Kosovës i detyroi të shpërnguleshin sërish, këtë herë drejt Suedisë.
Ishte pikërisht oborri i shtëpisë në Suedi ku ajo nisi të godiste topin me babanë dhe vëllain.
Përjetova vështirësi të ndryshme kur isha e vogël. Kur luaja futboll me babanë dhe vëllain, ishte e vetmja herë ku ndihesha e lirë dhe e sigurt, thjesht kënaqesha. Aty lindi dashuria për lojën. Kur hyra në një ekip për herë të parë, u ndjeva e rëndësishme dhe e përfshirë. Ndihesha se kisha një vend ku përkisja”, kujton ajo.
Prindërit e saj, nëna infermiere dhe babai inxhinier, punonin me orë të zgjatura për të ndërtuar një jetë të re nga e para, duke e lënë Elenën të kujdesej për vëllezërit më të vegjël. Aty lindi edhe ndjesia e saj e kujdesit dhe aftësia për të kuptuar e udhëhequr njerëzit rreth vetes.
Në moshën 13-vjeçare ajo e dinte se do të bëhej futbolliste profesioniste, por fati i rezervoi një goditje të pamëshirshme. Në moshën 19-vjeçare pësoi këputjen e parë të ligamentit të kryqëzuar (ACL), duke hapur një rrugëtim të mundimshëm mjekësor.
Kam bërë 13 operacione në gjurin e majtë si lojtare. Tre ligamente të këputura dhe një rindërtim të plotë të këmbës… Çdo gjë që mund të imagjinoni”, tregon Sadiku.
Pas ndërhyrjes së tretë, ajo pësoi një infeksion të rëndë që e detyroi t'u nënshtrohej edhe 7 operacioneve të tjera brenda vetëm dy javëve. Temperatura po i rritej rrezikshëm dhe mjekët filluan të merrnin në konsideratë amputimin e këmbës për t'i shpëtuar jetën.
E mbaj mend atë natë, e kisha pranuar faktin se thjesht do të ma prisnin këmbën. Po shikoja në telefon gjatë asaj nate: ‘Në rregull, çfarë mund të bëj me një këmbë? Si mund të luaj apo çfarë mund të bëj?’. Tashmë po mendoja hapin e radhës, vetëm për të mos u dorëzuar. E pranoja amputimin, për aq kohë sa mund të jetoja. Ishte e çmendur”, rrëfen ajo.
Këmba fatmirësisht u shpëtua, por karriera e saj si lojtare përfundoi në moshën 24-vjeçare. Pas një periudhe të vështirë identiteti, vetëm katër muaj më vonë klubi Hammarby i ofroi mundësinë të krijonte një akademi për vajza. Ky ishte çasti kur nisi ngritja e saj e pandalshme si stratege.
Karriera e saj e dërgoi nga Pekini në Danimarkë, e më pas në Skoci, ku e udhëhoqi Celticun drejt titullit të parë historik kampion brenda katër muajve të parë në krye të pankinës. Suksesin e përsëriti menjëherë te BK Hacken, duke i sjellë klubit lavdinë evropiane në më pak se pesë muaj.
E pyetur për të ardhmen dhe kalimin e mundshëm në Superligën Angleze (WSL), Sadiku shprehet me pjekuri.
Meqenëse kam përjetuar kaq shumë pengesa dhe gati sa nuk humba jetën, e kam të vështirë të shoh shumë larg përpara. Për momentin jam e lumtur këtu ku jam, te Häcken dhe me të tashmen”.

