Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Kehl, në rajonin e Ortenaut, në Gjermani, ku pesë persona të së njëjtës familje janë gjetur të pajetë në një banesë.
Në mesin e viktimave janë tre fëmijë, ndërsa dy të tjerë ndodhen në gjendje kritike shëndetësore dhe po trajtohen në klinika të specializuara, raportojnë mediat gjermane, transmeton IndeksOnline.
Sipas informacioneve të para, rrethanat e kësaj tragjedie ende nuk janë zbardhur. Policia gjermane ka nisur hetimet për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një defekt teknik apo për një vepër të mundshme penale.
Fëmijët nuk u paraqitën në shkollë, policia zbuloi tragjedinë
Ngjarja u zbulua të hënën paradite, pasi fëmijët e familjes nuk u paraqitën në shkollë. Rreth orës 11:30, persona të shqetësuar shkuan në banesën e familjes, në rrugën Richard-Wagner-Straße, por pasi askush nuk iu përgjigj derës, njoftuan policinë.
Rreth orës 11:45, efektivët hynë në banesë dhe zbuluan disa persona pa shenja jete. Për shkak të pranisë së një gazi të rrezikshëm, u kërkua ndërhyrja e zjarrfikësve.
Gjatë operacionit, një polic dhe një dëshmitare pësuan lëndime të lehta dhe u dërguan në spital për trajtim mjekësor.
Mes viktimave, babai dhe tre fëmijë
Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe sigurimit të banesës, hetuesit hynë brenda me pajisje mbrojtëse dhe konstatuan vdekjen e pesë personave.
Viktimat janë: Babai i familjes, 46 vjeç. Gjyshja, 74 vjeçe. Dy vajza, 10 dhe 13 vjeçe. Një djalë, 14 vjeç.
Ndërkohë, një djalë 12-vjeçar dhe një vajzë 11-vjeçare u gjetën në gjendje të rëndë. Ata morën ndihmën e parë nga ekipet mjekësore dhe më pas u transportuan me helikopterë drejt klinikave të specializuara, përfshirë edhe spitale në Francë.
Sipas policisë, gjendja shëndetësore e të dy fëmijëve vazhdon të jetë kritike.
Nëna e fëmijëve nuk ndodhej në banesë në momentin e ngjarjes dhe fillimisht mori ndihmë mjekësore.
Hetimet: Defekt teknik apo vepër penale?
Shkaku i tragjedisë mbetet ende mister. Hetuesit po shqyrtojnë të gjitha pistat, përfshirë mundësinë e një defekti teknik që mund të ketë shkaktuar praninë e gazit në banesë, por edhe mundësinë e një vepre penale.
Trupat e pesë viktimave do t’i nënshtrohen autopsisë, ndërsa në hetime janë përfshirë ekspertë të mjekësisë ligjore dhe specialistë të Zyrës së Policisë Kriminale të Landit.
Ekspertët e kriminalistikës kanë punuar deri në orët e vona të mbrëmjes në banesë, duke mbledhur dhe siguruar prova materiale që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rastit.
Ndërtesa është evakuuar, komuna kujdeset për banorët
Pas ngjarjes, zjarrfikësit kontrolluan edhe banesat e tjera të ndërtesës shumëkatëshe. Deri më tani, nuk është raportuar për persona të tjerë të lënduar.
Autoritetet kanë vendosur nën kontroll dhe kanë sekuestruar banesën ku ndodhi tragjedia, si dhe të gjithë ndërtesën. Ndërkohë, Komuna e Kehlt është angazhuar për sigurimin e strehimit të përkohshëm për banorët e tjerë.
Policia në Offenburg ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë dhe se informacione të tjera do të publikohen në momentin kur të ketë rezultate të konfirmuara.

