Bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e arkivave, digjitalizimi i dokumenteve historike dhe organizimi i aktiviteteve të përbashkëta kulturore ishin në fokus të një takimi të zhvilluar në Prishtinë.
Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Auron Rrokaj, është takuar me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në prani të ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.
Sipas njoftimit të Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë, takimi synon forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional mes Tiranës dhe Prishtinës, veçanërisht në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë historike e kulturore.
Në këtë kuadër, është theksuar rëndësia e shkëmbimit të përvojave, digjitalizimit dhe restaurimit të dokumenteve arkivore, si dhe organizimit të aktiviteteve të përbashkëta kulturore.
Ambasada ka vlerësuar se arkivat përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të kujtesës kombëtare, duke dëshmuar zhvillimet historike dhe duke lidhur brezat me trashëgiminë e përbashkët.
Po ashtu, është theksuar se afrimi i institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës krijon mundësi të reja për ruajtjen e dokumenteve historike dhe promovimin e identitetit kulturor.
Në njoftim nuk janë dhënë hollësi për ndonjë marrëveshje konkrete apo afate të zbatimit të nismave të diskutuara.

