Gjermania dhe Austria kërkojnë që aktiviteti evropian i TikTok të kalojë nën pronësi dhe kontroll evropian, duke e konsideruar platformën një çështje të sigurisë dhe sovranitetit dixhital.
Nisma u prezantua pas një takimi në Vjenë mes ministrit gjerman të Kulturës dhe Medias dhe sekretarit austriak të Shtetit për Çështjet Dixhitale. Ata kërkuan që kontrolli evropian të shtrihet edhe mbi teknologjinë kryesore të platformës, përfshirë algoritmin e rekomandimit dhe administrimin e të dhënave.
Sipas tyre, TikTok paraqet rreziqe për sigurinë dhe demokracinë evropiane, të cilat nuk mund të adresohen vetëm përmes rregullave dhe mbikëqyrjes ligjore.
Debati është intensifikuar edhe pas vlerësimit paraprak të 6 nëntorit, kur TikTok u konsiderua shkelje e mundshme e Aktit të Shërbimeve Dixhitale të BE, për shkak të mënyrës se si algoritmi mund t’i ekspozojë përdoruesit ndaj përmbajtjeve potencialisht të dëmshme
Gjermania dhe Austria synojnë të sigurojnë mbështetjen e vendeve anëtare në takimin e Këshillit të Telekomunikacionit dhe Energjisë, më 2 dhjetor, në Bruksel. Si model shërben rasti i Shteteve të Bashkuara, ku në janar kompania mëmë e TikTok, ia kaloi kontrollin një sipërmarrjeje me shumicë pronësie amerikane, pas kërcënimit për ndalimin e aplikacionit.
TikTok e ka kundërshtuar propozimin, duke e cilësuar pa bazë dhe argumentuar se aktiviteti në Evropë respekton legjislacionin e BE, përfshirë GDPR dhe Aktin e Shërbimeve Dixhitale.
Përplasja mes palëve nxjerr në pah debatin mbi mënyrën se si Evropa duhet të garantojë sigurinë digjitale: përmes rregullimit ligjor apo duke marrë nën kontroll edhe pronësinë dhe teknologjinë e platformave që operojnë në territorin e saj.

