Kuvendi i Republikës së Kosovës ka emëruar 15 anëtarët e Këshillit Kombëtar të Shkencës të propozuar nga Minstria e Arsimit dhe Shkencës, të cilët do të kenë mandat katërvjeçar.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, gjatë prezantimit të propozimit në Kuvend, vlerësoi rëndësinë e funksionalizimit të Këshillit Kombëtar të Shkencës për zhvillimin, koordinimin dhe avancimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore.
“Kjo listë përfshin fusha të ndryshme të dijes dhe të veprimtarisë shkencore, duke synuar përfaqësimin e një spektri të gjerë të ekspertizës akademike dhe kërkimore-shkencore. Kjo përbërje e propozuar përfshin një pjesë të anëtarëve nga përbërja e Këshillit të kaluar për të siguruar vazhdimësinë, si dhe garanton diversitetin e fushave të studimit, përfaqësimin adekuat të institucioneve të dijës, fushave priotare të shkencës sipas Programit Kombëtar të Shkencës, si dhe respektimin e parimit të përfaqësimit të balancuar gjinor”, deklaroi ministri Çeku.
Anëtarët e emëruar dhe fushat që përfaqësojnë janë:
Aliriza Arenliu – Psikologji;
Arbnora Dushi – Folkloristikë;
Armond Daci – Farmakologji;
Arven Syla – Energjetikë;
Besnik Krasniqi – Ekonomi dhe Ndërmarrësi;
Emine Kalaja-Hajdari – Histori;
Fetah Podvorica – Elektrokimi;
Ibrahim Krasniqi – Ekonomi dhe Menaxhim;
Majlinda Bregasi – Gjuhësi;
Mentor Alishani – Veterinari;
Mihone Kerolli-Mustafa – Inxhinieri Mjedisore;
Mimoza Ibrani – Telekomunikacion;
Myzafere Krasniqi-Limani – Elektronikë;
Tringa Dedi – Pedagogji;
Valmir Krasniqi – Matematikë.

