Terroristët kanë kryer sulme në vende të ndryshme në të gjithë Malin, sipas ushtrisë së vendit.
Të shtëna me armë zjarri dhe helikopterë u dëgjuan herët këtë mëngjes jashtë kryeqytetit, Bamako, pranë bazës ushtarake Kati dhe aeroportit ndërkombëtar.
Skena të ngjashme u raportuan në qytetet Sevare dhe Kidal, si dhe në qytetin Gao, shkruan skynews.
“Ka të shtëna me armë kudo”, tha një dëshmitar në Sevare, ndërsa një banor në Gao i tha Associated Press se shtëpia e tyre po dridhej për shkak të “forcës së shpërthimeve”.
Ushtria e Malit deklaroi se po “eliminonte sulmuesit” pasi “grupe të armatosura terroriste të paidentifikuara shënjestruan vende dhe kazerma të caktuara në kryeqytet”.
Një deklaratë disa orë më vonë tha se situata ishte nën kontroll.
Raportohet se degët e Al Kaedas dhe Shtetit Islamik veprojnë në vendin e Afrikës Perëndimore, ndërsa një rebelim i udhëhequr nga Tuaregët ka kohë që vazhdon në veri.
Udhëheqësit ushtarakë të Malit premtuan të forcojnë sigurinë pasi morën pushtetin në grushte shteti në vitet 2020 dhe 2021, por trazirat kanë vazhduar. /Telegrafi/