Është konfirmuar viktima e dytë nga shpërthimi i fuqishëm që ndodhi të mërkurën në mesditë në një pallat pesëkatësh në lagjen “Beqir Dardha” në Elbasan të Shqipërisë.
Nën rrënojat e ndërtesës është gjetur trupi i pajetë i 69-vjeçarit Hamit Ibro, i cili rezultonte i zhdukur që nga momenti i shpërthimit.
Trupi i tij u nxor nga ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcave të Armatosura, pas disa orësh kërkimesh nën rrënojat e pallatit.
Shpërthimi i fuqishëm ndodhi në një apartament, duke shkaktuar dëme të rënda në strukturën e ndërtesës. Si pasojë, u shembën muret e apartamentit dhe shkallët e pallatit, ndërsa tre kate të ndërtesës u bashkuan në një.
Viktima e parë e kësaj ngjarjeje është një 82-vjeçare, e cila banonte në apartamentin ngjitur me atë ku ndodhi shpërthimi.
Ndërkohë, 10 persona të tjerë, të cilët pësuan asfiksi, morën trajtim mjekësor në spital dhe, sipas informacioneve, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Për shkak të dëmeve të konsiderueshme, pallati është shpallur i pabanueshëm. Banorët janë evakuuar nga ekipet e emergjencës, ndërsa autoritetet po ndërmarrin masa për sistemimin e tyre.
Shkaqet e shpërthimit ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa dyshimet paraprake janë se ai mund të jetë shkaktuar nga një bombol gazi.

