Të paktën 24 persona janë plagosur si pasojë e një tërmeti me magnitudë 5.7, që goditi Japoninë qendrore gjatë natës së të shtunës dhe të dielës.
Sipas raportimeve të mediave japoneze, më të prekurat nga lëkundjet ishin prefekturat Aichi dhe Shizuoka. Tërmeti ndodhi rreth orës 01:00 sipas kohës lokale, ndërsa epiqendra u lokalizua në prefekturën Shizuoka, në një thellësi prej rreth 40 kilometrash.
Lëkundjet u ndjenë edhe në disa rajone të tjera, përfshirë Kioton, Narën, Gifun dhe Yamanashin.
Si pasojë e tërmetit, janë raportuar dëme materiale, përfshirë thyerje të xhamave të ndërtesave dhe dyqaneve. Po ashtu, janë shkaktuar vonesa dhe anulime në transportin hekurudhor, përfshirë trenat me shpejtësi të lartë Shinkansen.
Autoritetet japoneze kanë paralajmëruar qytetarët për mundësinë e lëkundjeve të tjera në ditët në vijim, si dhe për rrezikun nga rrëshqitjet e dheut dhe rënia e shkëmbinjve.
Megjithatë, pas tërmetit nuk është raportuar rrezik për cunami.

