Ishte projektuar fiks 20 vjet më parë. Por, një kompleks sportiv me pishinë olimpike në komunën veriore kosovare të Leposaviqit nuk ka arritur të ndërtohet e të funksionalizohet as në vitin 2026.
Disa tenderë, që u dhanë ndër vite për projektin, përfunduan në gjykata, ndërsa i fundit, prej 1.8 milion eurosh, që u dha me negocim, po hetohet nga Policia e Kosovës.
4 dhjetor 2025 – Vetëm një ditë para se Lulzim Hetemi ta përfundonte mandatin e tij si kryetar i Leposaviqit, në komunën veriore të Kosovës u nënshkrua një kontratë për një ndër projektet më të mëdha atje.
Kontrata, me vlerë prej mbi 1.8 milion eurosh në tenderin me titull “Ndërtimi i kompleksit të bazenit olimpik në Leposaviq – Faza 1”, u dha në procedurë të negociuar, pra pa tender të hapur për të gjithë të interesuarit.
Kontratën e fitoi një konsorcium i kompanive, me në krye kompaninë N&B, me bazë në Skenderaj dhe me pronar Niman Babajn. Pjesë e konsorciumit u listuan edhe kompanitë Kushtrimi NM, B&V Plus dhe Arching Group.
Ndonëse kontrata u nënshkrua, punimet nuk filluan asnjëherë.
Procedura e këtij tenderi përfundoi nën hetime të Departamentit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës. Nga ky organ thanë për Radion Evropa e Lirë (REL) se hetimet po vazhdojnë, por se nuk mund të jepnin hollësi “për shkak të pengimit në hetim”.
Ish-kreu i Leposaviqit, Hetemi, i ka treguar REL-it se për rastin është marrë në pyetje nga Policia në cilësinë e dëshmitarit.
Tani zëvendësministër në detyrë për Komunitete dhe Kthim i Kosovës, Hetemi ngulmon se tenderi ishte dhënë në pajtim me ligjin, dhe se projekti në Leposaviq duhet të përfundohet.
Sipas tij, tenderi i dhënë nga Komuna ishte paraparë vetëm për një pjesë të kompleksit, gjersa kishin marrëveshje që një pjesë tjetër të investimit ta bënte Federata e Futbollit të Kosovës (FFK).
“Për shkak që mandati ishte në fund, kemi kërkuar [ta japim tenderin] me negocim. Ne kemi shkuar nga ajo që të punohet dhe të jetë e gatshme… për shkak që në vitin 2030 janë Lojërat [Mesdhetare]”, tha Hetemi për REL-in.
Në Ministrinë e Sportit të Kosovës nuk janë përgjigjur në pyetjet e REL-it nëse kanë planifikuar të përdorin këtë kompleks për Lojërat Mesdhetare, mikpritëse e të cilave do të jetë Kosova.
As FFK-ja nuk ka treguar se çfarë bashkëpunimi ka pasur me Komunën e Leposaviqit, dhe se çfarë lloj investimi kishin planifikuar atje.
Hetemi i tha Radios Evropa e Lirë se për përdorimin e procedurës së negocimit kanë marrë leje nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP).
Në anën tjetër, KRPP ka mohuar se ka dhënë ndonjë leje apo pëlqim që Komuna e Leposaviqit ta përdorë procedurën e negocimit për këtë tender.
Përkundrazi, ata thanë se kanë dhënë opinion që të rishqyrtohet ky vendim.
Një ditë pas nënshkrimit të kontratës u konstituua Kuvendi i ri Komunal, i dalë nga zgjedhjet lokale, dhe në krye të Komunës erdhi Zoran Todiq, nga partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Leposaviqit, Marko Rakiq, i tha REL-it se me marrjen e pushtetit dhe gjetjes së kësaj kontrate të nënshkruar në Komunë kanë “paraqitur kallëzime penale kundër personave për të cilët ekzistojnë baza dyshimi se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare…”.
Rakiq tha, po ashtu, se “është iniciuar edhe procedurë disiplinore kundër personave përgjegjës, të cilët, sipas njohurive tona, në kundërshtim me autorizimet e tyre, kanë marrë pjesë në nënshkrimin e kontratës”. Ai nuk dha hollësi se ndaj kujt saktësisht janë ndërmarrë masat.
Komuna, po ashtu, njoftoi se aktualisht projekti është pezulluar dhe punimet nuk kanë nisur.
Lista Serbe kishte udhëhequr tradicionalisht me Leposaviqin dhe me tri komuna të tjera veriore të banuara me shumicë serbe në Kosovë, deri në një dorëheqje kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës më 2022 dhe një bojkotim të zgjedhjeve lokale, që çoi në ardhjen e katër kryetarëve shqiptarë, përfshirë Hetemin, në krye të komunave të veriut për herë të parë.
Vetë Todiq e kishte drejtuar komunën para se Hetemi ta merrte mandatin.
Si u dha tenderi?
Disa muaj para se kontrata e fundit të nënshkruhej, Komuna e Leposaviqit kishte hapur një tender me procedurë të hapur për kompleksin sportiv me pishinë olimpike, më 15 shtator të vitit 2025.
Në këtë tender, ofertuese ishte poashtu kompania N&B, në konsorcium me kompani të tjera.
Oferta e tyre ishte refuzuar nga Komuna, dhe për këtë kjo kompani ishte ankuar tek Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), ndryshe i njohur si Gjykata e Tenderëve.
Në ankesë, të cilën e ka publikuar OSHP-ja, kompania tha se anulimi ishte “i paarsyeshëm dhe joproporcional”.
Me vendimin e datës 18 nëntor 2025, OSHP-ja e hodhi poshtë ankesën e kompanisë si “jo të plotë”, dhe ia lejoi komunës “të vazhdojë më tutje me aktivitetin e prokurimit”, ndërsa nuk përmendi anulim të aktivitetit.
Megjithatë, sipas dokumenteve të publikuara në platformën E-Prokurimi, ky tender ishte anuluar më 27 nëntor të po atij viti, me arsyetimin se kishte pasur ankesë në OSHP.
Pak ditë më vonë, më 4 dhjetor, sipas dokumenteve në bazën online të të dhënave të prokurimit, ishte bërë nënshkrimi i kontratës me procedurë të negociuar me kompaninë N&B dhe me kompanitë tjera të konsorciumit.
Me gjithë përpjekjet për të marrë qëndrimin e kompanisë se si ishte arritur negocimi për kontratë me Komunën e Leposaviqit, REL-i nuk arriti të merrte përgjigje zyrtare nga N&B.
Dikush që u prezantua si vëllai i pronarit të kompanisë, në një telefonatë që REL-i e bëri në numrin kontaktues, tha se “është njëfarë kontesti, por njëherë nuk mund të themi asgjë”.
Hetemi, në anën tjetër, i tha REL-it se dhënien e tenderit me procedurë të negociuar ia ka lejuar KRPP-ja.
“Ne kemi kërkuar negocim, dhe normalisht që KRPP-ja na e ka lejuar”, tha Hetemi.
Si e parasheh ligji procedurën e negocimit për tenderë?
Sipas Ligjit për Prokurimin Publik, përkatësisht nenit 35 të tij, institucionet mund të përdorin procedurat e negocimit për tenderë në disa raste të caktuara:
Nëse, për arsye objektive dhe të detyrueshme teknike ose artistike, kontrata duhet t’i jepet një operatori të caktuar ekonomik;
Nëse, për arsye të mbrojtjes së të drejtave të pronës intelektuale apo industriale, apo të drejtave ekskluzive, kontrata mund t’i jepet vetëm një operatori të caktuar ekonomik;
Nëse, për aq sa është shumë e nevojshme për arsye të emergjencave ekstreme, që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme, të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues, autoriteti i tillë kontraktues nuk mund ta japë kohën e kërkuar për ushtrimin e cilësdo procedurë tjetër që parashtrohet në këtë ligj. Me kusht që kjo dispozitë të mos mund të shfrytëzohet, nëse rrethanat që e kanë krijuar situatën emergjente ekstreme mund t’u atribuohen veprimeve neglizhente ose të qëllimta, ose lëshimeve të autoritetit kontraktues.
Megjithatë, KRPP-ja, në një përgjigje për REL-in, mohoi se i është drejtuar kjo kërkesë apo se ka dhënë ndonjë leje që kjo procedurë tenderuese të zhvillohet me negocim.
“Ju sqarojmë se përdorimi i kësaj procedure është në përgjegjësinë ekskluzive të Autoritetit Kontraktues (AK), dhe nuk kërkohet aprovim paraprak nga KRPP-ja”, tha ky institucion në një përgjigje me email.
Për më tepër, KRPP-ja i tha REL-it se “ka lëshuar opinion lidhur me këtë procedurë, me qellim që të rishqyrtohet vendimi i autoritetit për përdorim të kësaj procedure për këtë aktivitet”.
Radio Evropa e Lirë ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga kompanitë tjera përbërëse të konsorciumit, por përfaqësuesit e tyre, në përgjithësi, kanë thënë se nuk janë në rrjedha të procedurave tenderuese, pasi me këtë çështje është marrë më shumë kompania lidere, N&B.
Historia e komplikuar e projektit të papërfunduar
Ajo që duhej të ishte një hapësirë rekreative për banorët e Leposaviqit, por edhe kompleks sportiv profesional me përdorim më të gjerë, tash e më shumë se një dekadë ka mbetur kryesisht një konstrukt i papërfunduar.
Ideja për ndërtimin e pishinës daton nga viti 2006, në kohën kur Kosova ende nuk e kishte shpallur pavarësinë e saj, dhe kur komunat me shumicë serbe funksiononin nën sistemin institucional të Serbisë.
Vetëm pas vitit 2013, në kuadër të procesit të integrimit të këtyre komunave në sistemin e Kosovës, Leposaviqi nisi të funksiononte sipas ligjeve të Kosovës, dhe i organizoi zgjedhjet lokale.
Zgjedhjet e atij viti i fitoi Dragan Jabllanoviq, atëherë pjesë e Listës Serbe, parti që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Gjatë mandatit të tij, në vitin 2015, nisën punimet për ndërtimin e pishinës, projekt i cili iu besua kompanisë Projektuesi, të regjistruar në Prishtinë. Megjithatë, nga i gjithë projekti u realizua vetëm struktura prej betoni.
Pavarësisht se objekti nuk u vu kurrë në funksion, Komuna e Leposaviqit hapi në vitin 2016 edhe një tender tjetër, këtë herë për sistemin e filtrimit të ujit të pishinës. Kontrata iu dha një konsorciumi të përbërë nga kompanitë Eurometal, nga Ferizaj, dhe Kruzni Tok, nga Zveçani.
Të dyja këto kontrata janë pjesë e një aktakuze të gjerë për krim të organizuar ndaj 15 personave, ku përfshihen ish-kryetari Jabllanoviq dhe pronarët e kompanive përfituese.
Në vitin 2022, Komuna e Leposaviqit me në krye Zoran Todiq projektoi një dizajn të ri për kompleksin.
Pishina olimpike e Leposaviqit
Për këtë projekt Radio Evropa e Lirë raportoi në thellësi në prill të vitit 2024.
Në lidhje me këtë aktakuzë, që u ngrit në vitin 2021, Gjykata Themelore mori vendim dënues në dhjetor të vitit 2024.
Ish-kryetari i Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq u dënua me 3 vjet burgim për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ndërsa dënime u shpallën edhe për 13 të akuzuarit tjerë, përfshirë pronarët e kompanive të lidhura me projektin e pishinës.
Gjykata e Apelit i ka thënë REL-it se tashmë është duke e shqyrtuar këtë rast.
