Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka kërkuar dorëheqjen e drejtorit të gjimnazit “Hivzi Sylejmani” dhe ka kërkuar masa ndaj një pjese të personelit të kësaj shkolle, për shkak të mospjesëmarrjes në ceremoninë komunale për shënimin e 28 Nëntorit.
Gjatë adresimit të tij në ceremoninë e organizuar të enjten në këtë shkollë, Prebeza e ka cilësuar mungesën e drejtorit dhe një pjese të stafit si bojkot dhe nënçmim për festën e madhe kombëtare.
Ai ka thënë se mungesa e tyre është e papranueshme, veçanërisht në një aktivitet ku ishin të pranishëm edhe veteranë e invalidë të luftës.
“Siç po e vëreni në këtë manifest, salla nuk është e mbushur plot. Konsideroj se gjithë kolektivi që gjendet në këtë shkollë, e që duhet të jetë një numër i caktuar, mospjesëmarrja e tyre është bojkot në këtë datë të madhe të historisë së popullit shqiptar. Nga kjo foltore kërkoj dorëheqjen e drejtorit të kësaj shkolle dhe vërejtje për gjithë personelin e kësaj shkolle… Këtu po shohim veteranë, po shohim invalidë të luftës që gjymtyrët i kanë lënë për këtë vend…. Mungesa e tyre, njerëzve të cilët ish dashtë që gjeneratave të ardhme te ua mësojnë historinë, mungesa e tyre është nënçmim për gjakun e derdhur”, ka thënë Prebreza.
Ai ka shtuar se dorëheqja e drejtorit nuk është e mjaftueshme, duke i kërkuar drejtorit të Arsimit në komunë që të ndërmarrë masa ndaj personelit që mungoi në ceremoni.
“Dorëheqje mendoj se nuk mjafton, drejtorin e Drejtorisë së Arsimit po e shoh atje. Të lutem drejtor t’i marrësh përgjegjësitë dhe të gjitha masat për këto mungesa të paarsyeshme dhe të panevojshme, të cilat institucionin e komunës dhe gjithë të pranishmit këtu i kanë nënçmuar”, ka deklaruar ai.

