Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se pavarësia e Kosovës është një fakt i pakthyeshëm dhe se Serbia duhet ta pranojë realitetin e saj si shtet të pavarur.
Gjatë fjalës së tij në “Forumin e Paqes”, që po mbahet në Musée de l’Homme në Paris, Rama u ndal te roli i Shqipërisë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe te marrëdhëniet me vendet fqinje, përfshirë Serbinë.
Ai tha se Shqipëria ka qenë vazhdimisht vend paqedashës dhe se gjatë dekadës së fundit ka qenë aktive në përpjekjet për nxitjen e paqes në rajon.
Duke folur për raportet me fqinjët, Rama theksoi se, pavarësisht dallimeve dhe rrethanave historike, është e rëndësishme që vendet e rajonit të ndërtojnë marrëdhënie të mira.
Megjithatë, kur foli për Kosovën, kryeministri shqiptar ishte i prerë në qëndrimin e tij, duke theksuar se pavarësia e saj nuk mund të zhbëhet dhe se nuk mund të trajtohet si një pretendim apo fantazi e Serbisë.
“Sa i takon çështjes së Shqipërisë dhe Kosovës mbetet një pikëpyetje. Kosova është një shtet i pavarur, që njihet nga shumë vende dhe nuk ka më kthim pas, dhe nuk ka asnjë mënyrë për ta kthyer në një fantazi serbe. Sa më shpejt serbët ta shikojnë si një fakt, nuk do të përfshihen nga kjo fantazmë”, tha Rama.
Ai foli edhe për konceptin e lirisë, duke kujtuar se në moshën 26-vjeçare i është dashur të luftojë për të pasur mundësinë të udhëtojë dhe të shohë botën.
“Unë e kuptoj lirinë si ndjesinë për të ardhur këtu dhe për të folur me ju. Në moshën time 26-vjeçare më duhej që të luftoja për të parë botën. Kështu e përkufizoj unë lirinë, që mund të them çfarë të dua, të shkoj kur të dua”, u shpreh Rama.
Në fund, ai përsëriti rëndësinë e fqinjësisë së mirë, duke theksuar se vendet nuk mund t’i zgjedhin fqinjët e tyre, por mund të zgjedhin mënyrën se si ndërtojnë marrëdhëniet me ta.

