Ekonomia globale po kalon nëpër një transformim rrënjësor. Zhvillimi teknologjik digjital po ndryshon thelbësisht mënyrën se si funksionojmë si individë, organizata dhe në tërësi si shoqëri; po e ndryshon produktin që po e prodhojmë, pastaj atë çfarë quhet vlerë e shtuar dhe sidomos çfarë teknologjie po përdorim në punë.
Ky proces shpërfaq dy anë të saja: anën pozitive dhe anën negative. Teknologjia digjitale ka hapur mundësi zhvillimi që ishin të paimagjinueshme më parë. Nëse do të përfitojmë nga këto mundësi, kjo varet nga qasja e jonë karshi këtyre proceseve. Me fjalë tjera, se sa shumë do përfitojmë kjo varet nga aftësia e jonë për t’u përshtatur. Me një qasje strategjike, të menduar mirë dhe që adreson kërkesat e kohës, mund të na mundësojë të kapërcejmë disa stade konvencionale të revolucioneve industriale, të cilat shtetet e zhvilluara kanë qenë të detyruara t’i përjetojnë përgjatë zhvillimit të tyre.
Cilat mund të jenë mundësitë që ofron teknologjia digjitale?
Ka shumë. Për shembull, përmes platformave të sotme digjitale, prodhuesit – por jo vetëm ata – mund të kontaktojnë direkt klientë kudo në botë për blerje të lëndës së parë, tregtim të mallrave dhe shërbimeve, blerje të teknologjisë etj.
Pastaj, përvoja e suksesshme e firmave në sektorit të TIK-ut (Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit) në Kosovë sugjeron se ekonomitë e vogla mund të krijojnë vlerë nacionale jo vetëm me mallra, me industri konvencionale, por edhe me shërbime dhe pa kosto të madhe, duke u mbështetur në aftësi digjitale.
Përdorimi i teknologjisë digjitale mund të përmirësoj në mënyrë të ndjeshme produktivitetin në sektorë si bujqësia. Përdorimi i mjeteve digjitale mundëson inspektimin apo gjurmimin e produktit nga kultivimi primar deri te blerësi. Ngjashëm edhe në sektorin e shërbimeve, për shembull të turizmit, ku agjentët ekonomikë mund të inspektojnë cilësinë e shërbimeve përgjatë tërë vitit – përmes mbledhjes dhe analizës digjitale të të dhënave.
Por, siç u konstatua më sipër, zhvillimi i teknologjisë digjitale mund të jetë shpatë me dy tehe. Ashtu siç hap mundësi zhvillimi, mund edhe të penalizojë. Nëse trendët e tillë zhvillimorë teknologjikë nuk absorbohen me sukses, kjo fare lehtë mund të ndëshkojë duke e rritur edhe më shumë hendekun me vende të zhvilluara.
Absorbimi i suksesshëm i këtyre trendëve kërkon ndryshim fondamental se si e kuptojmë zhvillimin. Sot nuk është i mjaftueshëm vetëm përmirësimi i kushteve të zhvillimit, si dhe qasja më e madhe e firmave në resurse ekonomike. Kjo qasje konvencionale e ka dominuar mënyrën se si janë krijuar politikat e zhvillimit edhe në Kosovë edhe në Shqipëri. Shpesh është nisur nga supozimi se nëse përmirësohen kushtet, zhvillimi do të pasojë dhe hendeku do të ngushtohet.
Sigurisht, përmirësimi i kushteve për zhvillim është i domosdoshëm. Megjithatë, hendeku mes nesh dhe vendeve të zhvilluara nuk e ka burimin vetëm te kushtet e ndryshme për zhvillim, te resurset financiare, qasja në teknologji, në tregje etj. Sigurisht, dallime ka, por nuk është vetëm kjo që determinon hendekun e zhvillimit. Pjesa kryesore e hendekut buron nga dallimi në aftësitë produktive, d.m.th. tek aftësia e agjentëve ekonomikë për të përdorur, kombinuar dhe përshtatur resurset në mënyrë produktive. Agjentët tanë të ekonomisë vazhdojnë të kenë vështirësi të ndërtojnë përvoja apo sisteme përmes të cilave në mënyrë të vazhdueshme akumulojnë aftësi produktive.
Përvoja e ekonomive të përparuara sugjeron se ky është mekanizmi qendror që u mundëson organizatave ekonomike të ngrihen në aktivitetet e tyre produktive. Përhapja e këtij mekanizmi në firma dhe sektorë ekonomikë mundëson ndryshimin e strukturës produktive të secilës ekonomi. Vetëm përmes transformimit të strukturës produktive të ekonomisë krijohet premisa për zvogëlim të hendekut të zhvillimit me ekonomitë e avancuara.
Sigurisht, janë organizatat ekonomike ai vendi ku aftësitë produktive ndërtohen dhe zhvillohen. Por, roli i institucioneve publike, i shtetit në këtë kontekst, është i madh. Institucionet e shtetit duhet të krijojnë politika zhvillimore të cilat mbështesin këtë proces. Ekzistojnë një varg problemesh dhe sfidash të cilat nuk mund të adresohen me sukses vetëm nga organizatat ekonomike. Të tilla ka shumë. Nëse institucionet arsimore prodhojnë kuadro të diplomuara që nuk i duhen industrisë, ky s’është faji i organizatave ekonomike. Kjo ndreqet nga shteti, por në bashkëpunim të ngushtë me akterët e tjerë të zhvillimit. Një shembull tjetër mund të jetë krijimi i qendrave për transferim të teknologjisë që për shkak të kostos nuk mund të adresohet nga organizatat ekonomike.
Detyrë primare e institucioneve të shtetit është që bashkë me akterët e tjerë të identifikojë problemet themelore që pengojnë zhvillimin. Pastaj të ndërtojë politika që adresojnë këto probleme të cilat monitorohen dhe ndryshohen varësisht nga impulset që marrin nga tereni.
Si përfundim, zhvillimi i teknologjisë digjitale mund të bëhet levë e zhvillimit tonë ekonomik, ashtu siç fare lehtë mund të shndërrohet në peng të saj. Në masë të madhe kjo varet nga ajo se sa do të arrijmë të kuptojmë rëndësinë që ka të mësuarit, akumulimi dhe shndërrimi i saj në aftësi produktive. Edhe më e rëndësishme se të kuptuarit është se çfarë do bëjmë ne si shoqëri për t’i zhvilluar, thelluar dhe akumuluar ato (të mësuarit dhe aftësitë produktive). /Telegrafi/

