Një person ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur mesditën e së mërkurës në qytetin e Suharekës.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi ka konfirmuar për IndeksOnline se rasti është raportuar më 18 nëntor, rreth orës 12:20, kur një person i panjohur ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një mashkulli.
Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencë.
Ndërkohë, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa Policia është duke ndërmarrë veprime për identifikimin dhe arrestimin e tij.
Autoritetet kanë siguruar vendin e ngjarjes dhe po zhvillojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

