Të paktën katër persona kanë vdekur dhe një tjetër është lënduar në Francë, si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga stuhia “Adam”.
Stuhia shkaktoi përmbytje të përhapura në jug të Francës të martën, duke vërshuar rrugët dhe duke ndërprerë qarkullimin e transportit, shkruan BBC, transmeton klankosova.tv.
Në mesin e viktimave janë dy gra, të moshës 86 dhe 26 vjeçe, të cilat u gjetën të mbytura në një bodrum në rajonin Bouches-du-Rhone.
Edhe Korsika u godit nga moti i keq. Mediat lokale raportuan se të martën një automjet 4×4 u rrëmbye nga ujërat e përmbytjeve. Njëri nga personat që ndodheshin në automjet arriti të shpëtonte duke dalë nga dritarja, ndërsa një burrë tjetër u gjet i vdekur.
Në qytetet Mouries dhe Saint-Martin-de-Crau, mes Montpellier dhe Marsejës, dhjetëra banorë u strehuan në qendra emergjente pas përmbytjeve. Zyrtarët konfirmuan se në këtë zonë një person është lënduar.

