KORREKT / SOT12 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Sport

“Të dëgjojnë golat edhe në jetën e përtejme”, Barcelona prezanton projektin e pazakontë për varrimin e tifozëve në Camp Nou

“Të dëgjojnë golat edhe në jetën e përtejme”, Barcelona prezanton projektin e pazakontë për varrimin e tifozëve në Camp Nou

Dashuria për klubin nuk njeh kufij, madje as fundin e jetës. Barcelona ka prezantuar një projekt të pazakontë, përmes të cilit tifozët do të kenë mundësi që edhe pas vdekjes të qëndrojnë përgjithmonë pranë stadiumit legjendar “Camp Nou”.

Sipas The Guardian, projekti, i quajtur “Memoriali i FC Barcelona-s”, parasheh krijimin e një hapësire të veçantë brenda stadiumit, ku mbështetësit e klubit katalunas do të mund të vendosin hirin e tyre pas vdekjes, duke u prehur përgjithmonë në shtëpinë e ekipit të zemrës.

Kjo hapësirë pritet të hapet pas përfundimit të punimeve të gjera rinovuese në “Camp Nou”, ndërsa shërbimi do të ofrohet me disa paketa të ndryshme, në varësi të kohëzgjatjes së koncesionit.

Të interesuarit do të duhet të paguajnë 2.490 euro për një koncesion dhjetëvjeçar, 6.000 euro për një periudhë 50-vjeçare, ndërsa një vend i përhershëm do të kushtojë 10.000 euro. Të gjitha këto opsione përfshijnë edhe një tarifë vjetore mirëmbajtjeje prej 70 eurosh.

Përveç kësaj, tifozët që dëshirojnë një pllakë përkujtimore do të duhet të paguajnë edhe 490 euro shtesë.

Projekti u prezantua nga zëvendëspresidentja institucionale e Barcelonës, Maria Elena Fort, e cila zbuloi edhe një histori personale që lidhet me këtë ide.

“Kur gjyshi im vdiq shumë vite më parë, ai tha se dëshira e tij e vetme ishte të varrosej pranë fushës së Barçës, në mënyrë që të dëgjonte golat në jetën e përtejme”, deklaroi Fort, duke shtuar se shumë tifozë e ndajnë të njëjtën ëndërr.

Sipas planit, urnat do të vendosen prapa një murali që do të paraqesë momentet më të mëdha në historinë e klubit, ndërsa pllakat përkujtimore do të ekspozohen në një mur xhami të ndriçuar me teknologji LED.

Interesimi për këtë projekt ka qenë i konsiderueshëm që në fazën fillestare, pasi më shumë se 1.000 mbështetës kanë rezervuar tashmë vendet e tyre, ndonëse punimet nuk pritet të nisin deri në fund të vitit 2027.

Në total, hapësira e re do të ketë 26.000 kamare varrimi, duke u mundësuar mijëra tifozëve që të lidhen përgjithmonë me klubin e tyre të zemrës.

Barcelona nuk është klubi i parë që ndërmerr një iniciativë të tillë. Para saj, edhe Atletico Madridi, Real Betisi dhe Espanyoli kishin krijuar hapësira të ngjashme në stadiumet e tyre për mbështetësit.

Kështu, “Camp Nou” po përgatitet të ofrojë një tjetër mënyrë për të dëshmuar se për disa tifozë, dashuria për Barcelonën vazhdon edhe përtej jetës. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.