Periudha e Pierluigi Tamit në pozitën e drejtorit të Kombëtares së Zvicrës do të përfundojë pas dy ndeshjeve të fundit të Ligës së Kombeve, që zhvillohen gjatë këtij muaji.
Në konferencën e tij të fundit për shtyp, Tami është ndalur edhe te çështja e futbollistëve me shtetësi të dyfishtë, duke folur konkretisht për rastin e Lutfi Dalipit.
Federata e Futbollit e Zvicrës është detyruar ta pranojë vendimin e futbollistit të Young Boysit, i cili këtë edicion është i huazuar te Vaduzi.
Dalipi ka bërë të ditur se në të ardhmen dëshiron të luajë për një nga dy përfaqësueset shqiptare, Kosovën ose Shqipërinë, ndërsa ende nuk e ka marrë vendimin përfundimtar se cilën do ta zgjedhë.
Tami ka treguar se me Dalipin kanë biseduar për perspektivën e tij në Kombëtaren e Zvicrës, por konkurrenca në repartin e mesfushës është shumë e madhe.
“Ne ia përshkruam perspektivat e tij të ardhshme”, ka deklaruar Tami, duke iu referuar konkurrencës me Johan Manzambin, Fabian Riederin dhe Alvyn Sanchesin.
“Nëse duam ta marrim Dalipin me vete, duhet ta lëmë njërin prej tyre në shtëpi. Mund ta kuptoj që Murat Yakin nuk ka vend për të”, është shprehur ai.
Zvicra do të përballet të premten me Slloveninë në udhëtim, ndërsa tri ditë më vonë do ta presë Skocinë. Të dyja ndeshjet i takojnë Grupit B1 të Ligës së Kombeve. /Telegrafi/

