Rita Ora ka sjellë një tjetër paraqitje plot stil dhe energji, duke publikuar disa fotografi nga videoklipin e këngës së saj “All Natural”, të realizuar vitin e kaluar.
Këngëtarja dhe aktorja 35-vjeçare është shfaqur e veshur me çorape të gjata prej leshi dhe këpucë ngjyrë portokalli, ndërsa po xhironte videoklipin e këngës së re, i cili është realizuar nën regjinë e bashkëshortit të saj, Taika Waititit, shkruan The Sun.
Videoklipi duket se është frymëzuar nga estetika e viteve ’80, ngjashëm me videoklipin e Jennifer Lopez për këngën “I’m Glad”, të publikuar në vitin 2003, i cili gjithashtu ishte frymëzuar nga filmi “Flashdance” i vitit 1983.
Rita ka ndarë në rrjetet sociale disa fotografi dhe pamje nga xhirimet, duke i shoqëruar me përshkrimin: “Talk to me”.
Kënga “All Natural” pritet të jetë pjesë e albumit të saj të katërt, i cili raportohet se do të publikohet vitin e ardhshëm.
Regjisori Taika Waititi ka folur së fundmi për albumin e ri të bashkëshortes së tij, duke e cilësuar muzikën e re si diçka ndryshe nga ajo me të cilën Rita është identifikuar deri tani.
Duke folur për “Bizarre” gjatë një eventi në Londër, Waititi tha se e ka dëgjuar një pjesë të madhe të albumit dhe se është befasuar nga drejtimi i ri muzikor i artistes.
“Ky album i ri është i jashtëzakonshëm. Kam dëgjuar një pjesë të madhe të tij. Është një ndryshim i madh nga ajo me të cilën ajo njihet më së shumti. Ka një tingull ndryshe”, ka thënë ai.
Waititi ka qenë gjithashtu regjisor i videoklipit të “All Natural”, ndërsa më herët kishte realizuar edhe videoklipin e këngës “Don’t Think Twice”, të publikuar nga Rita në vitin 2023.
Foto: SplashNews.com
Duke qenë se Waititi është një regjisor i vlerësuar me Oscar, puna e tij në projektet muzikore të bashkëshortes mund të duket si një bashkëpunim që nuk vjen pa kosto.
Megjithatë, ai ka treguar me humor se mes tyre ekziston një marrëveshje e veçantë.
“Ka një marrëveshje mes miqsh. Mendoj se çdo herë ka qenë falas. Është thjesht kënaqësi të punojmë bashkë”, ka deklaruar ai.
Waititi shtoi se, pavarësisht se të dy janë pjesë e industrive të ngjashme, ata merren me fusha të ndryshme dhe kjo u jep mundësinë të bashkëpunojnë në mënyrë krijuese.
Foto: Taika Waititi/Instagram
“Është shumë mirë sepse jemi në industri të ngjashme, por në disiplina shumë të ndryshme. Kur je me dikë, dëshiron të kesh mundësi të bësh edhe ndonjë punë bashkë”, u shpreh regjisori.
Duke folur për talentin e Ritës, Waititi tha me shaka se vazhdon të befasohet nga ajo që këngëtarja arrin të bëjë.
“Jam vërtet i mahnitur dhe i befasuar nga ajo që bën, por njëkohësisht jam gjithmonë shumë i hutuar”, tha ai me humor. /Telegrafi/