Hulumtimet e fundit tregojnë se plakja e retinës mund të lidhet drejtpërdrejt me dobësimin e eshtrave, duke hapur rrugën për zbulim më të hershëm të osteoporozës përmes një kontrolli të syve
Sytë nuk konsiderohen rastësisht /]“pasqyra e organizmit”. Përveç se mund të zbulojnë probleme me trurin, enët e gjakut apo sistemin nervor, shkencëtarët tani po paralajmërojnë se ata mund të japin sinjale edhe për shëndetin e eshtrave.
Dy studime të mëdha të realizuara në Singapor dhe në Mbretërinë e Bashkuar, të publikuara më 14 maj në revistën shkencore PLOS Digital Health, kanë zbuluar një lidhje të rëndësishme midis plakjes së retinës dhe rrezikut për osteoporozë.
Osteoporoza është një sëmundje që dobëson gradualisht eshtrat duke ulur dendësinë minerale të tyre. Ajo prek miliona njerëz në botë, sidomos gratë pas menopauzës dhe personat e moshuar, ndërsa shpesh quhet “vjedhësi i heshtur i eshtrave”, sepse përparon pa simptoma derisa të ndodhë një frakturë serioze.
Shkencëtarët vunë re se sa më “e plakur” të dukej retina sipas disa treguesve biologjikë, aq më e ulët ishte dendësia minerale e eshtrave. Ky model u konfirmua si te afro 2.000 persona në Singapor, ashtu edhe te rreth 44.000 pjesëmarrës në studimin britanik të Biobankës.
Sipas autorëve të studimit nga Singapore Eye Research Institute, fotografimi i retinës mund të shndërrohet në një mënyrë të thjeshtë, jo invazive dhe më të përballueshme për të identifikuar personat me rrezik për osteoporozë, madje para se të shfaqen komplikimet, transmeton Telegrafi.
Ilustrimi: ChatGpt
Retina, shtresa më e thellë e syrit, po konsiderohet gjithnjë e më shumë si tregues i gjendjes së përgjithshme shëndetësore. Studime të tjera kanë sugjeruar se ajo mund të japë sinjale edhe për plakjen e trurit apo rënien e funksioneve njohëse.
Në këtë hulumtim u përdor edhe inteligjenca artificiale. Një model i quajtur RetiAGE u trajnuar me afro 130.000 fotografi të retinës nga më shumë se 40.000 pjesëmarrës në Korenë e Jugut, për të vlerësuar shpejtësinë e plakjes së syrit. Më pas, ky model u aplikua në popullatat e Singaporit dhe Britanisë për të parashikuar rrezikun e osteoporozës dhe frakturave.
Rezultatet treguan se për çdo rritje të treguesit RetiAGE, rreziku për osteoporozë rritej me rreth 12 për qind. Tek meshkujt, lidhja ishte edhe më e fortë, me një rritje prej 25 për qind të rrezikut.
Ekspertët theksojnë se sytë dhe eshtrat ndikohen nga faktorë të ngjashëm si aktiviteti fizik, ushqimi i shëndetshëm dhe ekspozimi ndaj diellit. Për këtë arsye, plakja e mirë e syve shpesh mund të pasqyrojë edhe plakje më të shëndetshme të eshtrave.
Po ashtu, studiuesit përmendin se hipertensioni, inflamacioni kronik dhe problemet vaskulare mund të ndikojnë njëkohësisht si në sy, ashtu edhe në strukturën e eshtrave.
Megjithëse këto zbulime janë ende në fazë zhvillimi, ato po hapin mundësi të reja që një kontroll rutinë i syve në të ardhmen të ndihmojë edhe në zbulimin e hershëm të osteoporozës, para se sëmundja të shkaktojë dëme serioze. /Telegrafi/