Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Në një bisedë për Radio Dukagjini, Syla tha se është e vështirë të komentohet deklarata e Kurtit, duke rikujtuar qëndrimet e tij të mëhershme ndaj Gjykatës Speciale.
“Nuk e dimë cilit Kurt t’i besojmë – atij që para shtatë vitesh i tha presidentit Hashim Thaçi ‘qu shko’, duke iu referuar Gjykatës Speciale, apo këtij të sotmit që thotë se lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë çlirimtare dhe se beson në pafajësinë e tyre.”
Syla kritikoi Qeverinë Kurti për, siç tha, mungesën e mbështetjes për bashkëluftëtarët në Hagë, duke theksuar se OVL-UÇK ka organizuar pesë protesta për të kërkuar lirinë e tyre, pa parë pjesëmarrjen e Kurtit apo zyrtarëve të LVV-së.
“Për OVL-UÇK-në, këto deklarata janë të çuditshme dhe të vona. Dëmi veçse është shkaktuar, ndërsa bashkëluftëtarët tanë janë për më shumë se gjashtë vite atje, pa përkujdesjen e shtetit.”
Syla përmendi edhe mungesën e mbështetjes financiare për mbrojtjen e tyre, duke thënë se deklaratat e sotme nuk kanë më efekt, pasi aktgjykimi pritet të lexohet më 16 shtator në Hagë.
