Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se Qeveria do të vazhdojë ta mbështesë Policinë e Kosovës, duke theksuar se as procedurat administrative e as ato të prokurimit nuk do ta pengojnë zhvillimin e institucionit.
Komentet e tij vijnë në kohën kur Policia e Kosovës është përballur me mungesë të uniformave për zyrtarët policorë.
Në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 63-të të policëve të rinj, Sveçla tha se policët nuk do të jenë vetëm në ushtrimin e detyrës së tyre dhe premtoi vazhdimin e mbështetjes institucionale.
“Dua t’ju siguroj se në këtë rrugëtim nuk do të jeni vetëm. Mbështetja jonë për Policinë e Kosovës dhe për secilin prej jush do të vazhdojë. Si Qeveri kemi mbështetur në vazhdimësi Policinë e Kosovës me qëllim që të keni kushtet, mundësitë dhe përkrahjen e nevojshme për ta kryer sa më mirë detyrën tuaj”, tha Sveçla.
Ai bëri të ditur se buxheti për Policinë e Kosovës është rritur nga 109 në 173 milionë euro, ose rreth 60 për qind, ndërsa sipas tij, gjatë pesë viteve të fundit për Policinë janë alokuar dhe shpenzuar gjithsej 732 milionë euro.
Duke iu referuar çështjes së furnizimit dhe procedurave të prokurimit, Sveçla u shpreh se ato nuk do ta pengojnë përkushtimin e Qeverisë ndaj Policisë.
“Nuk ka dhe nuk do të ketë procedura administrative e të prokurimit që do ta ndalin përkushtimin tonë dhe zhvillimin e Policisë së Kosovës”, deklaroi ai.
Sveçla shtoi se eprorët dhe menaxhmenti policor duhet të sigurohen që mbështetja e ofruar nga Qeveria të reflektohet në efikasitetin e punës së zyrtarëve policorë.
“Suksesi juaj në shërbim të qytetarëve është edhe përgjegjësi dhe synim i yni i përbashkët”, përfundoi ministri në detyrë.

