Shefi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka kritikuar menaxhimin financiar të Komunës së Prishtinës, duke ngritur shqetësime për rënien e të hyrave, rritjen e shpenzimeve dhe obligimet financiare të komunës.
Gjatë mbledhjes së Kuvendit Komunal, Sveçla ka kritikuar edhe mungesën e kryetarit Përparim Rama, duke thënë se ai vetë e kishte thirrur seancën për të diskutuar raportin financiar të komunës.
“Është për keqardhje që i pandehuri Rama nuk është këtu edhe pse e ka ftuar vetë seancën që t’i dëgjojë kritikat e asamblistëve në lidhje më raportin financiar të komunës që ai e drejton”, tha fillimisht Sveçla.
Ai e ka cilësuar shqetësuese gjendjen financiare të kryeqytetit, duke pretenduar se të hyrat po bien, ndërsa shpenzimet po rriten.
“Gjendja është shqetësuese financiare në komunën e Prishtinës, të hyrat po bien, shpenzimet po rriten, nuk po dihet ku po shkon buxheti i qytetarëve”, u shpreh ai.
Sveçla ka përmendur edhe shumat që, sipas tij, janë në procedura përmbarimore, duke thënë se këtë vit ato arrijnë në afro 20 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar ishin 45 milionë euro.
“Këtë vit, gati 20 milionë euro në procedura përmbarimore dhe vitin e kaluar 45 milionë euro dhe a e dini që Zyra Kombëtare e Auditimit nuk ka arritur ta saktësojë sa prej këtyre 45 milionë eurove të vitit të kaluara janë borxh bazë, sa janë kamate dhe sa janë tarifa të përmbaruesve, pasi komuna nuk i ka këto dokumente, keqmenaxhimi financiar është në përmasa alarmante”, deklaroi Sveçla.
Gjatë fjalës së tij, ai ka paralajmëruar edhe për mundësinë që mungesa e kryetarit të ndikojë në mbajtjen e seancave të Kuvendit Komunal.
“Kryetari do të rri më shumë në prokurori se në komunë, prandaj mos i lëshoni seancat si javën e kaluar sepse do mbesim pa i mbajte seancat”, është shprehur Sveçla.
Gjatë diskutimit pati edhe kundërshtime nga shefi i grupit të asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Egzon Pacolli, i cili ndërhyri derisa Sveçla po fliste.
Në vazhdim të reagimit të tij, shefi i asamblistëve të LVV-së ka kritikuar edhe përfaqësuesit e tjerë politikë, duke pretenduar se disa prej tyre po përfitojnë nga angazhimet dhe kontratat komunale.
“Derisa i duartrokisni veprimet e tilla të një personi që zyrtarisht është i dyshuar për keqpërdorim financiar, këtë po mundoni ta heshtni sepse iu delegojnë disa punë në ‘Termokos’, disa tenderë që rriten me nga 100 mijë euro për dy muaj, edhe ata shkojnë në stacion e në Prokurorinë Speciale pa merak, secili nga ju do të japë përgjegjësi”, ka thënë Sveçla. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com

