Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) ka përfunduar kursin e avancuar për snajper për gjeneratën e dytë të këtij viti, me qëllim të avancimit të aftësive profesionale të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Sipas njoftimit, kursi kishte për qëllim zhvillimin e shkathtësive në qitjen me snajper, vëzhgimin dhe mbledhjen e informacioneve në zona me rrezikshmëri të lartë.
Trajnimi u realizua nga instruktorët e Qendrës së Stërvitjes Profesionale në KDS, përmes aktiviteteve teorike dhe praktike në ambientet e kësaj komande në Ferizaj, si dhe në Poligonin Ushtarak në Babaj të Bokës, në Gjakovë.
Gjatë kursit, pjesëmarrësit avancuan aftësitë në qitje në distanca të gjata dhe përdorimin e sistemeve të ndryshme të armëve dhe kalibrave përkatës.
Përmes këtij trajnimi, FSK-ja synon të rrisë kapacitetet profesionale dhe përgatitjen ushtarake të pjesëtarëve të saj për përmbushjen e misionit dhe detyrave të përcaktuara. /Zëri

