Publicisti Veton Surroi, ka folur për hapat që duhet të ndërmarrë Kosova për t’i ndihmuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas Surroit, interes strategjik është që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës dhe paralel me këtë proces të nisin edhe negociatat me Bashkimin Evropian.
Ai është shprehur se më pastaj nuk duhet kërkuar ndryshimi i Gjykatës Speciale, por zhbërja e saj.
Një datë që do të duhej caktuar sipas Surroit është viti 2028 kur edhe pritet të përfundojë procesi i Apelit në rastin e ish-krerëve dhe atëherë të zhbëhet ajo Gjykatë.
“Unë mendoj se interesi kryesor i Kosovës është që të hyjë në Këshillin e Evropës dhe mendoj se ky interes strategjik i Kosovës është edhe për t’u trajtuar çështja e Gjykatës Speciale. Vetëm duke hyrë në Këshillin e Evropës mund të krijojmë një ambient ligjor në të cilin mund të analizohet çështja e Gjykatës Speciale. Kjo shkon paralelisht me një proces negociator me Bashkimin Evropian. Unë mendoj se Gjykata Speciale nuk duhet të ekzistojë në vitin 2028, jo të ndryshoj por të mos ekzistojë. Pra, negociatat me Bashkimin Evropian ne duhet t’i fllojmë, jo për ta ndryshuar Gjykatën Speciale por për ta zhbërë në vitin 2028. Pra, duhet caktuar një datë, në momentin kur kryhet Apeli për katër të dënuarit, Gjykata nuk duhet të ekzistojë më por të ç’montohet dhe sistemi juridik i Kosovës duhet të kthehet në normalitet. Të unifikohet sistemi jonë juridik”, ka deklaruar Surroi në emisionin “Konfront” në KTV.
Surroi ka folur edhe për sfidat që pritet ta presin presidenten, Qeverinë e partitë politike. Sipas tij partnerët ndërkombëtarë të Kosovës kanë qenë gjatë këtyre ditëve në konsultime se cila është mundësia e mirë për t’u dërguar në Gjykatën Kushtetuese, Ligji i ri për Gjykatën Speciale, i miratuar në Kuvendin e Kosovës.
“Për ta bërë këtë ne nuk duhet të merremi me Ligjin për Specialen, sepse ky ligj nuk do ta ketë fatin e mirë. Nuk mund të hyjmë në një proces negociator me Bashkimin Evropian e t’u thuhet ne duhet të hyjmë në Këshillin e Evropës nëse njëkohësisht themi se nuk do ta respektojmë marrëveshjen që e kemi me ju për Ligjin për Dhomat e Specializuara. Nuk mund të bëjmë dy veprime paralele që shkojnë ndesh me njëra-tjetrën. Kjo është njëra prej sfidave të para që do ta ketë presidentja, Qeveria, partitë politike, kjo sfidë do të fillojë tash me faktin që kalojnë tetë ditët nga miratimi i Ligjit, mënyra se si do të dërgohet në Kushtetuese, kush ta çojë, Avokati i Popullit i Kosovës apo ai pranë Dhomave të Specializuara. Këto janë çështje juridike dhe politike dhe miqtë e Kosovës kanë qenë në konsultime gjatë tërë këtyre ditëve se cila do të jetë mundësia më mirë”, ka thënë Surroi në KTV.
Me ndryshimet në Ligjin për Specialen që janë miratuar në Kuvend me propozimin e PDK-së e që presin dekretimin e presidentes, parashihet që dënimi maksimal në Gjykatën Speciale të kufizohet në 15 vjet burgim, të lejohet ankesa në Gjykatën Supreme të Kosovës ndaj vendimeve të Speciales, dënimet të mund të vuhen në Kosovë, në vend që të vuhet domosdoshmërisht jashtë vendit dhe që presidenti i Kosovës të ketë mundësi të japë amnisti për persona të dënuar nga Dhomat e Specializuara.
Gjykata Speciale është krijuar me ndryshime ligjore e kushtetuese të miratuara në Parlament. Këtyre hapave i parapriu shkëmbimi i letrave mes presidentes së atëhershme, Atifete Jahjaga, me përfaqësuesen e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, me anë të së cilave, Kosova mori obligim të krijonte Gjykatën dhe Zyrën e Prokurorit e gjithashtu edhe zotimin për konsultim me autoritetet përkatëse të BE-së për ndryshimin eventual të ligjeve që prekin punën e Speciales.
Kuvendi e ratifikoi Shkëmbimin e Letrave më 23 prill 2014, duke i dhënë atij statusin e një marrëveshjeje ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
Institucioni i Avokatit të Popullit është duke e shqyrtuar kërkesën e 24 përfaqësuesve të shoqërisë civile, aktivistëve dhe profesorëve universitarë që Ligjin për Gjykatën Speciale ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese në Prishtinë.

