KORREKT / SOT12 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Ekonomi

70 franga për 9 orë punë: Shoferët e Uberit në Zvicër ankohen për fitime të ulëta

70 franga për 9 orë punë: Shoferët e Uberit në Zvicër ankohen për fitime të ulëta

Shoferët e Uberit në Zvicër po kërkojnë më shumë të drejta dhe mbrojtje, duke ngritur shqetësime për tarifat e ulëta, konkurrencën në rritje dhe mungesën e transparencës në algoritmet që përcaktojnë çmimet dhe shpërndajnë udhëtimet.

Cem Kurun, 30 vjeç, i cili punon si shofer i Uberit në kantonin e Cyrihut që nga viti 2019, thotë se kushtet e tij të punës janë përkeqësuar ndjeshëm ndër vite. Sipas tij, tarifat janë ulur vazhdimisht, ndërsa konkurrenca mes shërbimeve private të transportit dhe shoferëve të taksive është intensifikuar.

Ai thotë se pandemia e koronavirusit dhe hyrja në treg e Bolt, konkurrentit estonez të Uberit, në vitin 2024, e kanë rënduar edhe më shumë situatën, raporton Swissinfo.

Kurun tregon se më parë fitonte 1 mijë e 200 franga duke punuar rreth 30 orë në javë, ndërsa tani fiton pak më shumë se 300 franga. Në ditën kur u intervistua nga Swissinfo, ai kishte fituar vetëm 70 franga pas nëntë orësh punë.

“Si duhet ta ushqej një familje? A do të më duhet t’i drejtohem shërbimeve sociale për të shmangur vdekjen nga uria?”, pyet ai.

Sipas Kurunit, shumë shoferë detyrohen të mbështeten te ndihma sociale për shkak të të ardhurave të ulëta.

“Ne shoferët po paguajmë çmimin për këtë luftë çmimesh”, thotë ai.

Shoferët dyshojnë për manipulim të algoritmeve

Përveç rënies së të ardhurave, Kurun shpreh shqetësime edhe për mungesën e kontrollit mbi punën e tij, pavarësisht se konsiderohet shofer i vetëpunësuar.

Ai dyshon se aplikacioni i Uberit përdor mekanizma algoritmikë që mund t’i penalizojnë shoferët kur refuzojnë shumë udhëtime, transmeton Telegrafi. Gjithashtu, ai thotë se aplikacioni shfaq zona që premtojnë fitime më të larta, por që zhduken sapo shoferët mbërrijnë në ato lokacione.

Kurun vë në pikëpyetje edhe lirinë e shoferëve për të përcaktuar tarifat e tyre.

“Teorikisht, aplikacioni Uber u lejon shoferëve të vendosin çmimet e tyre. Por sapo vendos një çmim që është edhe dhjetë cent mbi tarifën për kilometër të Uberit, nuk marr më shërbime transporti”, thotë ai.

Nga ana tjetër, Uber deklaron se shoferët mund t’i pranojnë ose refuzojnë udhëtimet pa diskriminim. Kompania thotë se normat e pranimit dhe anulimit të udhëtimeve nuk përdoren për të përcaktuar përputhjen mes shoferëve dhe pasagjerëve apo për të personalizuar tarifat.

Unia: Uber po vepron në mënyrë të paligjshme

Statusi ligjor i shoferëve të Uberit në Zvicër është prej vitesh objekt mosmarrëveshjesh.

Sipas Unia-s, sindikatës më të madhe në vend, niveli i kontrollit që Uber ushtron mbi shoferët nuk përputhet me statusin e vetëpunësimit.

Zëdhënësi i sindikatës, Philipp Zimmermann, thotë se shoferët nuk kanë liri të vërtetë zgjedhjeje dhe duhet t’u nënshtrohen kushteve të punës të përcaktuara nga kompania.

Si pasojë, sipas tij, ata privohen nga pagat, rimbursimi i shpenzimeve dhe kontributet e sigurimeve shoqërore që do t’u takonin nëse do të trajtoheshin si punonjës.

Që në vitin 2018, Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike (SECO) kishte theksuar se shoferët e Uberit duhet të klasifikohen si punonjës. Ky qëndrim është mbështetur edhe nga disa vendime gjyqësore në nivel kantonal dhe federal.

“Ajo që po bën Uber në Zvicër është plotësisht e paligjshme. Shoferët vazhdojnë të punojnë në kushte të ‘vetëpunësimit të rremë’. Autoritetet kanë detyrë t’i japin fund këtij modeli të paligjshëm”, thotë Zimmermann.

Uber e kundërshton këtë interpretim. Kompania thotë se e ka ndryshuar disa herë modelin e operimit dhe kushtet për shoferët, duke argumentuar se vendimet e mëparshme për modelet e vjetra kontraktuale nuk mund të zbatohen automatikisht për situatën aktuale.

Gjithashtu, kompania pretendon se shumica e shoferëve e vlerësojnë pavarësinë dhe fleksibilitetin që ofron aplikacioni.

Korporata amerikane deklaron se u ofron shoferëve të saj partnerë të pavarur në Zvicër mbulim falas sigurimi për disa rreziqe të caktuara.

Gjeneva, përjashtim nga modeli i zakonshëm

Në kantonin e Gjenevës, Uberi ka ndryshuar modelin e operimit pas një beteje ligjore që zgjati disa vjet.

Sot, shumica e shoferëve që përdorin platformën janë të punësuar përmes një kompanie të palës së tretë. Uberi ka gjithashtu një marrëveshje me kantonin, përmes së cilës janë rregulluar çështjet e së kaluarës dhe kontributet e papaguara të sigurimeve shoqërore.

Megjithatë, mbrojtja e të drejtave të shoferëve mbetet një proces i vështirë.

Guillaume Lemoine, ish-shofer i Uberit në Gjenevë, thotë se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të ndërmerrte veprime ligjore kundër kompanisë për të kërkuar atë që ai i konsideron paga të papaguara dhe shpenzime profesionale për periudhën gjatë së cilës punoi për të. Çështja ligjore është ende në vazhdim.

Ashtu si Kurun, edhe Lemoine përshkruan rënien e tarifave pas pandemisë, atë që e cilëson si “autonomi të rreme” në përcaktimin e çmimeve dhe disavantazhet me të cilat, sipas tij, përballen shoferët kur refuzojnë udhëtime.

Ai tregon se kur përpiqej të kontaktonte Uberin për të raportuar probleme ose vështirësi teknike, “i dukej sikur po fliste me robotë”.

Vendimet gjyqësore nuk kanë sjellë ndryshime, thotë shoferi

Kurun beson se autoritetet e Cyrihut duhet të bëjnë më shumë për të mbrojtur personat që punojnë përmes platformave si Uberi.

Në vitin 2021, gjykata kantonale e sigurimeve shoqërore në Cyrih vendosi se shoferët që përdorin shërbime të ndryshme të Uberit duhet të konsiderohen punonjës.

Në vitin 2023, Gjykata Federale e mbështeti këtë vendim.

Megjithatë, Kurun thotë se në praktikë nuk ka vërejtur ndryshime dhe se kushtet e tij të punës janë përkeqësuar edhe më tej.

Shoferët në Evropë po kërkojnë më shumë të drejta

Pakënaqësitë ndaj kushteve të punës në platformat e transportit nuk kufizohen vetëm në Zvicër.

Në fillim të shtatorit, qindra mijëra shoferë në Holandë, ku Uberi ka selinë e tij evropiane, ngritën një padi kolektive kundër kompanisë. Ata po kundërshtojnë, ndër të tjera, përdorimin e sistemeve të automatizuara për përcaktimin e tarifave dhe shpërndarjen e udhëtimeve.

Ndërkohë, një grup shoferësh francezë, të mbështetur nga organizata Personaldata.IO me seli në Gjenevë, e cila merret me të drejtat që lidhen me të dhënat personale, po përgatit një tjetër padi kolektive.

Sipas themeluesit të organizatës, Paul-Olivier Dehaye, kompensimi që kërkohet mund të arrijë deri në 40 mijë euro për shofer./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.