Xhiroja e 11-të e Superligës së Kosovës në futboll hapet sot me përballjen ndërmjet Gjilanit dhe Llapit.
Ndeshja zhvillohet sonte, me fillim nga ora 18:00.
Gjilani e pret këtë përballje nga pozita e tretë në tabelë, me 17 pikë të grumbulluara në dhjetë ndeshje. Skuadra gjilanase ka regjistruar pesë fitore, dy barazime dhe tri humbje, me golaverazh 14:9, dhe synon të shfrytëzojë terrenin vendas për të vazhduar garën në pjesën e sipërme të renditjes, shkruan kp.
Në anën tjetër, Llapi po kalon një periudhë të vështirë në kampionat. Skuadra nga Podujeva renditet në vendin e nëntë, me vetëm katër pikë pas dhjetë ndeshjeve. Llapjanët kanë regjistruar një fitore, një barazim dhe tetë humbje, me golaverazh 9:24, prandaj pikët në këtë përballje janë të rëndësishme për të nisur përmirësimin e pozitës në tabelë.
Gjilani kërkon të mbetet në garën për kreun, ndërsa Llapi synon të reagojë dhe të largohet nga zona e fundit e tabelës.
Pas kësaj përballjeje, xhiroja e 11-të e Superligës së Kosovës do të vazhdojë me ndeshjet e tjera të shtunën dhe të dielën.
Të gjitha ndeshjet e Superligës së Kosovës mund t’i ndiqni ekskluzivisht në kanalet e sportit të platformës televizive Artmotion.

