Një sulm kibernetik ndaj sistemeve të ftohjes në qindra supermarkete në Francë ka shkaktuar prishjen e produkteve ushqimore dhe ka ngritur shqetësime për sigurinë e sistemeve teknologjike që përdoren nga rrjetet e mëdha tregtare.
Kjo gjë ka alarmuar edhe zviceranët, pasi, sipas mediave në Zvicër, nuk përjashtohet mundësia që sulme të ngjashme të prekin edhe kompani brenda këtij shteti, përfshirë Migros dhe Coop, nëse përdorin sisteme të cenueshme.
Titulli i raportimit të 20 Minuten ngre pikërisht këtë shqetësim: Nëse sistemet e ftohjes që përdorin supermarketet zvicerane kanë dobësi të ngjashme, ato mund të bëhen objektiv i sulmeve të tilla.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Migros ose Coop janë sulmuar. Deri tani, nuk ka konfirmim në raportimet e cituara se këto dy rrjete zvicerane janë prekur nga incidenti në Francë, shkruan 20Minuten, transmeton Telegrafi.
Rasti tregon se pajisjet e lidhura me internetin mund të krijojnë rreziqe jo vetëm për të dhënat, por edhe për funksionimin e përditshëm të bizneseve dhe ruajtjen e produkteve ushqimore.
Kujtojmë se në Francë sulmi ndodhi gjatë natës mes së dielës dhe së hënës, kur hakerët arritën të manipulonin sistemet e kontrollit të frigoriferëve dhe ngrirësve në disa rrjete supermarketesh franceze.
Pajisjet u kaluan në modalitetin e shkrirjes, duke bërë që temperaturat të rriteshin dhe produktet e freskëta e të ngrira të
rrezikoheshin nga prishja.
Sipas raportimeve, sulmi preku disa zinxhirë të mëdhenj tregtarë, përfshirë Intermarché, Netto dhe Coopérative U. Edhe rrjete të tjera raportuan probleme me sistemet e ftohjes.
Problemi lidhet me sistemet e menaxhimit të ftohjes të prodhuara nga kompania daneze Danfoss, të cilat përdoren për të kontrolluar në distancë pajisjet frigoriferike në dyqane.
Në disa raste, produktet ushqimore u desh të hidheshin, ndërsa dëmi i përgjithshëm financiar ende nuk është përcaktuar plotësisht.
Prokuroria e Parisit ka nisur hetimet për të zbardhur sulmin dhe për të përcaktuar përgjegjësit. Autoritetet po shqyrtojnë gjithashtu raportimet për zjarre dhe dëme të tjera që mund të lidhen me incidentin./Telegrafi/

