Ukraina ka akuzuar Rusinë për një sulm me dron pranë një objekti depozitimi që ndodhet rreth 14 km larg centralit bërthamor të Çernobilit – vendi i katastrofës më të keqe bërthamore në botë.
Në deklarata të ndara, Shtabi i Përgjithshëm i Kievit dhe agjencia shtetërore atomike thanë se një ndërtesë ishte shkatërruar pjesërisht.
Një zjarr shpërtheu në objekt dhe u shua. Nuk u raportuan të lënduar.
“Kjo nuk është hera e parë që forcat ruse po vënë në rrezik objektet bërthamore të Ukrainës”, tha ministri i jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha.
“Shantazhi bërthamor i Rusisë dhe kërcënimet ndaj sigurisë bërthamore janë sistematike, të qëllimshme dhe të papranueshme”, shtoi ai.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë se ka shënjestruar qëllimisht objektin e depozitimit.
Ai tha se një dron Shahed u përdor në “një strukturë infrastrukturore jashtëzakonisht kritike” në “një sulm jashtëzakonisht të lig rus”.
“Rusia e goditi qëllimisht këtë strukturë të veçantë të infrastrukturës bërthamore”, tha ai në një postim në X.
Ndryshe, në shkurt të vitit 2025, një dron sulmues rus dëmtoi një hark izolimi mbi reaktorin e Çernobilit, i cili u shkatërrua në shpërthimin dhe shkrirjen e reaktorit në prill të vitit 1986.
Kievi dhe Moska kanë shkëmbyer gjithashtu akuza për sulmin ndaj centralit bërthamor Zaporizhzhia të pushtuar nga Rusia në juglindje të Ukrainës – më i madhi në Evropë. /Telegrafi/
