Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI) në Shtetet e Bashkuara janë goditur nga një sulm kibernetik, gjatë të cilit janë ekspozuar informacione të paklasifikuara të institucioneve amerikane.
Lajmi është raportuar më 24 nëntor nga mediat amerikane, duke iu referuar burimeve të njohura me rastin. Sipas tyre, ndërhyrja ka prekur një rrjet kompjuterik që përdoret për mbledhjen dhe analizimin e informacioneve nga burime të hapura.
Ende nuk dihet se cilat të dhëna janë komprometuar dhe kush qëndron pas sulmit. Dyshohet se përveç CIA-s dhe ODNI-së, ekspozimi mund të ketë përfshirë edhe informacione të institucioneve të tjera qeveritare amerikane.
Sipas një burimi të cituar nga Associated Press, sulmi nuk ka përfshirë informacione të klasifikuara dhe problemi tashmë është zgjidhur, shkruan cnn.
Ndërkaq, ODNI ka deklaruar se incidenti nuk ka shkaktuar ndërprerje të kapaciteteve kritike apo të sistemeve që përmbajnë informacione të klasifikuara. CIA nuk ka dhënë një reagim të menjëhershëm lidhur me rastin.
Rrjeti i prekur përdoret për inteligjencën nga burimet e hapura (OSINT), një metodë që mbështetet në mbledhjen dhe analizimin e të dhënave publike, përfshirë përmbajtjet në internet, imazhet satelitore komerciale dhe bazat e të dhënave private.
Megjithëse këto informacione nuk janë të klasifikuara, kombinimi i tyre mund t’u mundësojë analistëve të inteligjencës të identifikojnë kërcënime, të zbulojnë modele të aktiviteteve dhe të krijojnë një pasqyrë më të qartë për zhvillimet në vende të ndryshme.
Sulmi i fundit vjen në një periudhë kur disa institucione amerikane janë përballur me incidente të sigurisë kibernetike dhe probleme teknike.
Javën e kaluar, një rrjet i brendshëm i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA), i përdorur për komunikimin e informacioneve të klasifikuara, pësoi ndërprerje të përkohshme. Ndërkohë, FBI-ja po heton një ndërhyrje të dyshuar në bazën kombëtare të të dhënave për zbatimin e ligjit, ndërsa një incident tjetër ka prekur sistemin e pagesave për fermerët në Departamentin e Bujqësisë.
Administrata e presidentit Donald Trump ka mohuar se këto incidente janë pjesë e një sulmi të koordinuar kibernetik. Megjithatë, rastet e njëpasnjëshme kanë shtuar shqetësimet për sigurinë e sistemeve digjitale të institucioneve amerikane. /Telegrafi/

