Suedia do të vendosë sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot dhe aeroplanë luftarakë Gripen në Poloni, në kuadër të përpjekjeve për forcimin e sigurisë së një prej rrugëve kryesore të furnizimit të Ukrainës.
Kryeministri suedez, Ulf Kristersson njoftoi se sistemet Patriot dhe aeroplanët Gripen do të angazhohen për mbrojtjen e një qendre logjistike të NATO-s në Poloni.
Përmes kësaj qendre transportohen armë dhe ndihma të tjera nga vendet aleate drejt Ukrainës. Për këtë arsye, mbrojtja e saj konsiderohet e rëndësishme për vazhdimësinë e furnizimeve ushtarake për Kievin.
Vendosja e kapaciteteve suedeze synon të rrisë mbrojtjen ajrore të zonës dhe të sigurojë infrastrukturën përmes së cilës kalon një pjesë e rëndësishme e ndihmës ndërkombëtare për Ukrainën.
Kristersson e lidhi gjithashtu forcimin e angazhimit suedez në NATO me ndryshimin e politikës së sigurisë së vendit pas pushtimit rus të Ukrainës.
Ai rikujtoi se vendimi i Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO ishte një pasojë e drejtpërdrejtë e pushtimit të Ukrainës nga Rusia. /Telegrafi/