Stuhia e fuqishme “Austen” ka shkaktuar kaos në jug të Britanisë së Madhe, duke detyruar mbylljen e aeroporteve dhe shkollave, si dhe duke lënë mijëra familje pa furnizim me energji elektrike.
Për shkak të rrezikut të lartë nga vërshimet përgjatë brigjeve të Dorsetit dhe Devonit Jugor, Agjencia e Mjedisit u ka bërë thirrje banorëve të zhvendosen urgjentisht në vende më të larta.
Goditja e motit ka pezulluar plotësisht punën në aeroportet e Ishujve të Kanalit, ka anuluar fluturimet në Exeter dhe ka shkaktuar vonesa e anulime masive në rrjetin hekurudhor, raporton Mirror.co.uk, transmeton Klankosova.tv.
Deri më tani, 138 shkolla në Cornwall dhe Ishujt e Kanalit janë mbyllur, teksa vetëm në Cornwall mbi 9,000 amvisëri kanë mbetur pa rrymë.
Shërbimi Meteorologjik Britanik (Met Office) ka paralajmëruar erëra të dhunshme deri në 130 km/h që paraqesin rrezik për jetën, me alarmin që mbetet në fuqi për pjesën dërrmuese të Anglisë dhe Uellsit.

