Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka bërë thirrje për protestë pas pretendimeve për kërcënim të pranuar përmes emailit nga rektori i universitetit.
Përmes një njoftimi publik, Parlamenti Studentor ka ftuar të gjithë studentët që t’i bashkohen protestës, duke e cilësuar të papranueshme çdo formë të kërcënimit dhe presionit që cenon sigurinë, lirinë e shprehjes dhe mjedisin e lirë akademik, raporton IndeksOnline.
Sipas tyre, përballë formave të tilla të frikësimit, studentët duhet të tregojnë unitet dhe të mbajnë një qëndrim të përbashkët.
Protesta do të mbahet para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, duke filluar nga ora 11:30.
“Bashkë para Rektoratit, kundër kërcënimeve!”, thuhet në thirrjen e Parlamentit Studentor.

