Deputeti i OBRM-PDUKM‑së, Bojan Stojanoski, reagoi përmes një komunikate ndaj kritikave të kryetarit të LSDM‑së, Venko Filipçe, duke vlerësuar se rebalanci i Buxhetit për vitin 2026 është dëshmi për financa publike stabile dhe vazhdimësi të politikës zhvillimore të Qeverisë.
Sipas Stojanoskit, rebalancI nuk është dokument krize apo paniku, por dokument financiar që i përshtat të ardhurat dhe shpenzimet me lëvizjet reale ekonomike dhe i orienton mjetet drejt fushave me efektin më të madh zhvillimor.
Ai theksoi se me rebalancin të ardhurat totale rriten për 4,6 miliardë denarë, ndërsa investimet kapitale rriten për 5,8 miliardë denarë, pra 14,5 për qind.
“Kur shpenzimet kapitale rriten për gati gjashtë miliardë denarë, nuk flasim për shpenzim të kotë, por për rrugë, hekurudha, ujësjellës, kanalizime, institucione shëndetësore, shkolla, konvikte studentore, objekte sportive dhe projekte për mjedisin jetësor”, tha Stojanoski.
Ai theksoi se të ardhurat tatimore në pesë muajt e parë të vitit janë më të larta për 6,3 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, duke shënuar rritje të të ardhurave nga TVSH‑ja, tatimi personal dhe tatimi mbi fitimin.
Stojanoski shtoi se shpenzimet kapitale në pesë muajt e parë janë realizuar 44,8 për qind më shumë krahasuar me vitin e kaluar, gjë që, sipas tij, tregon se projektet nuk mbeten vetëm në letër.
Ai theksoi se me rebalancin sigurohen mjete shtesë për shëndetësinë, arsimin, mbrojtjen sociale, mjedisin jetësor, infrastrukturën lokale, bujqësinë dhe komunat, si dhe për projekte të financuara përmes fondeve evropiane.
Duke iu referuar treguesve makroekonomikë, Stojanoski tha se BPV në tremujorin e parë shënon rritje prej 3,1 për qind, ndërtimtaria rritet për 7,2 për qind, prodhimi industrial për 7,6 për qind, ndërsa investimet e huaja direkte janë rritur për 46,8 për qind.
“Ky rebalanc është real, i strukturuar dhe zhvillimor. Shifrat tregojnë se të ardhurat rriten, investimet kapitale shtohen dhe më shumë mjete orientohen drejt projekteve që përmirësojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve”, tha Stojanoski.
