Ekonomisti Safet Gërxhaliu ka folur për gjendjen ekonomike në Kosovë, duke paralajmëruar se vazhdimi i trendeve aktuale mund ta përkeqësojë edhe më shumë standardin e jetesës së qytetarëve.
I ftuar mbrëmë në emisionin "Info Magazine", Gërxhaliu tha se situata ekonomike në vend është shqetësuese dhe se zhvillimet ndërkombëtare mund të sjellin pasoja të mëtejshme, veçanërisht në çmimet e produkteve dhe sigurinë ushqimore.
“Sot standardi i jetesës në Kosovë është shqetësues dhe, në qoftë se vazhdohet në këtë trend me këta parametra ekonomikë, vërtet duhet të pranohet një e hidhur që Kosova ballafaqohet me dy të këqija. E keqja më e mirë është ajo që sot është keq, po e keqja më e keqe është ajo që nesër, si duket, duhet të jetë më keq”, ka deklaruar Gërxhaliu.
Ai ka përmendur edhe pritjet për rritjen e inflacionit, duke thënë se kjo situatë duhet të merret seriozisht nga institucionet.
“Kur Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore parashohin që deri në fillim të vitit 2027 do të ketë trend të rritjes së inflacionit, llogaritet që inflacioni do të ketë një rritje prej 2.7 deri në 3 për qind”, u shpreh ai.
Gërxhaliu foli edhe për pasojat që mund të shkaktohen nga zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit dhe problemet në zinxhirët e furnizimit.
“Ju e dini që sot, falë asaj që është duke ndodhur në Ngushticën e Hormuzit, afër 45 për qind të të gjitha lëndëve të para për bujqësi janë të bllokuara apo janë të djegura. Zinxhiri furnizues është i shkatërruar. Në këtë drejtim e kemi një disbalancë mes ofertës dhe kërkesës”, ka deklaruar Gërxhaliu në Klan Kosova.

